Connect with us

Kronike

I shpëtoi atentat në Vlorë/ Zbardhet dëshmia e Kevin Hajrulla: S’shoqërohem çdo ditë me Inezin

Kevin Hajrulla, 30-vjeç, i ka shpëtuar një atentati që mund t’i kishte marrë jetën. I riu u qëllua mbrëmjen e 17 dhjetorit, në zonën ku banonte në Vlorë. Iu deshën 3 ndërhyrje kirurgjikale që i riu t’u mbijetonte plagëve të marra, por ende ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Së fundmi, tashmë që është në gjendje më të mirë shëndetësore ka dhënë edhe dëshminë e tij para uniformave blu. Sipas të riut, edhe pse ka lidhje të ngushta familjare me Inez Hajrulla, këtë të fundit nuk e takon shpesh. Por edhe vetë shton se nuk ka konflikte me askënd.

“Nuk shoqërohem në përditshmëri me Inezin. Me Inezin takohem rrallë, edhe vetë nuk kam konflikte,“-mësohet se është shprehur i riu. Ndërkohë që deri më tani, Policia nuk ka mundur që të gjejë të afërmin e të plagosurit. Inez Hajrulla dyshohet se ka lëvizur nga vendi dhe jeton jashtë shtetit, ndaj marrja e dëshmisë së tij është e pamundur.

Për hetuesit, atentati ndaj 30-vjeçarit është pasojë e përplasjes së grupeve kriminale në Vlorë. Më konkretisht përplasjes mes grupit të Inez Hajrullait dhe familjes Sinomati.

HISTORIKU I PËRPLASJEVE NË VLORË:

Këto dyshime të hetuesëve përforcohen edhe me faktin se disa ditë pas tentativës për të vrarë Kevinin, në shtëpinë ku jetonte Bernard Sinomati u dërgua tritol me dron. Për më tepër që për Policinë Hajrulla, nuk konsiderohet si eksponent kriminal apo me rekorde kriminale, por goditja e tij është kryer në shenjë hakmarje kundër mikut të tij Inez Hajrulla. Ky i fundit prej disa kohësh është larguar nga qyteti i Vlorës së bashku me disa nga drejtuesit e grupit, duke qëndruar në një qytet të Spanjës. Ekspertët e policisë së Vlorës e analizojnë ngjarjen si goditje me qëllim për të nxjerrë nga vendi ku qëndron i fshehur, Inez Hajrulla.

Ndërsa kundërshtarët e tij të betuar janë Armando Sulejmani “Çipuri”, Sokol Sinomati “Buzderi” dhe Fatmir Hyseni “Doçja”.

Lidhur me ngjarjen, autorët e atentatit besohet se kanë qënë tre persona, ku pas kryerjes së krimit automjeti me targa italiane, është djegur në zonën e Panajasë në dalje të Vlorës. Por deri më sot, nuk ka asnjë të dhënë që mund të zbulonte për Policinë detaje që mund të sillte identifikimin e tyre. Mesa duket, as Kevin Hajrulla nuk i ka parë atentatorët e tij.

Advertisement