Politike
Ilir Alimehmeti kërkon mandatin e Tabakut, ankimon rezultatin e Tiranës në KQZ

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka ankimuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultatin për qarkun e Tiranës, ku ai garon, duke kërkuar kështu rinumërimin e votave në të gjithë bashkitë që ky qark përfshin.
Lajmi është bërë me dije nga vetë Alimehmeti, përmes një shkrese drejtuar KQZ-së, ku argumenton se rezultati me kandidaten që e prin në listën e hapur, Jorida Tabaku, është shumë i ngushtë.
Kësisoj, sipas tij, mund të ketë mundësi për ndryshim të rezultatit me një rinumërim votash në qarkun e madh, ku PD-ja ka arritur të marrë mbi 160 mijë vota.
“Duke pasur parasysh faktin që subjekti ynë ‘PD-ASHM’ ka marrë 164,316 vota, rezultati për kandidatët mund të ndryshojë, në kushtet kur diferenca midis meje dhe kandidatit të renditur përpara në listë është tejet e ngushtë, ose rreth 1.2% e numrit total të të gjitha votave të subjektit”, shënon Alimehmeti në ankesën e tij.
Ai shton edhe faktin se sipas pretendimit, vetëm në një qendër votimi, 27 vota preferenciale për të i janë kaluar një kandidati tjetër dhe atij i janë shënuar 0 vota në tabelën përmbledhëse.
Duke paraqitur edhe disa të dhëna në KQZ, ai sqaron se kërkon:
-Rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit të Qarkut Tiranë.
-Ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse sipas rinumërimit dhe/ose rivlerësimit të votave.
Tashmë vendimi i takon Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve për ta shqyrtuar kërkesën, por një lëvizje e tillë do të nënkuptonte dy gjëra: Një luftë të brendshme mes demokratëve, por edhe një luftë për një mandat më shumë në Tiranë.
Varianti i dytë përkon me faktin se partia e re Mundësia, me kryetar Agron Shehajn, është në limitet e marrjes së mandatit të dytë dhe një grusht votash e ndajnë atë mes marrjes, apo jo, të mandatit të dytë.
Shehaj vetë ka ngritur shqetësime se PD-ja po kërkon të përfitojë nga kjo situatë për të marrë padrejtësisht mandatin e dytë të Mundësisë, por nëse rinumërimi urdhërohet nga KAS, atëherë nuk do të ketë rrugë tjetër veç leximit të ri të votës së kryeqytetit, së bashku me atë të Diasporës për qarkun dhe mësimit të ndryshimit që mund të ketë pasur në votën faktike nga ajo e paraqitur…nëse ka të tillë.

