Politike
Ilir Meta i vërsul Blushin e tij Dash Shehit: O karagjoz, që korruptohesh me një faqore
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka sulmuar ashpër Dashamir Shehin, pasi ky i fundit tha në një dalje televizive se Ilir Meta duhet të përballet si burrë në SPAK dhe jo të dilte e t’i sulmonte prokurorët nga fjalimi që mbajti në protestë.
“Ne që nuk besojmë te Berisha dhe Meta. E kishim harruar këtë të fundit dhe na doli dje në tribunë. Qëllimi ishte që të hipte atje të thoshte ato Dum Dumanët, të shante prokurorët që i vijnë vërdallë. Në vend të që të përballet si burrat për atë që kanë bërë ia venë fajin sistemit”, tha Shehi.
Lidhur me këtë deklaratë të Shehit, Blushi në një postim në Facebook e quan pseudo-opozitar dhe një figurë karagjoze e fake opozitës.
Madje sipas Blushit, Shehi dërgohet nëpër banakë televizive nga Rama e Basha për të mbrojtur SPAK kundrejt premtimit për t’i dhënë një mandat.
“Në mënyrë të përsëritur sipas një regjie të Edi Ramës, pseudo-opozitari Dash Shehi, që nuk përfaqëson askënd veç “klubeve të lagjes”, vazhdoi edhe sot në funksion të diversionit brenda opozitës të sulmojë Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe opozitën e bashkuar.
Kjo figurë karagjoze e “fake opozitës”, që dërgohet nga Edi Rama dhe Lul Basha nga një banak në tjetrin me premtimin për një qyl-mandat, ka marrë përsipër të “legjitimitojë” edhe institucionin e kapur prej fyti nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, si SPAK-u i Dum-Dumanëve.
Se çfarë betejash patriotike ka bërë burri i shtetit Ilir Meta me regjimin kriminal të Edi Ramës, me Ramaformën, me SPAK-un e me mafian ndërkombëtare dhe se si i ka shqepur 5-0 në Venecia, i di i madh dhe i vogël.
Siç e dinë të gjithë shqiptarët se një politikan i degraduar që korruptohet me një faqore qyl nuk mund të verë në diskutim as integritetin e Ilir Metës dhe as të legjitimojë veglën qorre të Edi Ramës, SPAK-un e Don Agaçios”, shkruan Blushi.