Aktualitet
Incidenti me gazetaren/ Reagon Kadastra: Dhuna dënohet, autori nuk është punonjës i institucionit

Në vijim të një incidenti të ndodhur pranë Drejtorisë Vendore të Kadastrës Kamëz-Vorë, ku një gazetare u përball me veprime të papërshtatshme gjatë kryerjes së detyrës së saj, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka dalë me një reagim zyrtar. Përmes një deklarate publike, institucioni ka dënuar çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të medias dhe është distancuar nga ngjarja, duke sqaruar se personi i përfshirë nuk është punonjës i Kadastrës. Po ashtu, është premtuar bashkëpunim i plotë me organet ligjzbatuese dhe rishikim i pamjeve filmike për të garantuar marrjen e masave të nevojshme ndaj përgjegjësve.
Njoftimi:
Në lidhje me lajmet e publikuara gjatë ditës së sotme për ngjarjen e ndodhur pranë Drejtorisë Vendore Kamez-Vorë, sqarojmë se:
Agjencia Shtetërore e Kadastrës dënon dhe distancohet nga çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
Në lidhje me rastin e raportuar, sqarojmë se personi që ka kryer veprimin ndaj gazetares nuk është punonjës i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ndërkohë jemi duke rishikuar të gjitha pamjet filmike të administruara nga kamerat e sigurisë dhe, nëse konstatohet shkelje nga rojet private, do të ndërmerren menjëherë hapat ligjorë dhe kontraktualë për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të tilla.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës shpreh besimin e plotë tek institucionet ligjzbatuese dhe është e bindur se ato do të kryejnë hetimet dhe do të vendosin drejtësi sipas ligjit.
Ne besojmë se puna e gazetarëve është një element i rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe ruajtjen e transparencës institucionale.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron publikun dhe median se do të vazhdojë të garantojë akses, respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë në çdo proces informimi.

