Kosova
Incidenti me maturantët në Mitrovicën e Veriut, Sveçla: Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë

Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla ka reaguar sërish në lidhje me incidentin e regjistruar në Mitrovicën e Veriut. Sveçla përmes një postimi në “Facebook” shkruan se pati propagandë serbe në festën të disa maturantëve. Ministri theksoi se në këto festime pati thirrje “Kosova është Serbi” e simbole nacionaliste.
Sveçla tha se kërkesa e zyrtarëve policorë për të mos provokuar po prezantohet si dhunë, ndërsa shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë.
“Ja si duket propaganda serbe: Kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata e quajnë dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë ngufatje. Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë e re nga ta!”, shkruan ai.
Sveçla tha se kjo propagandë mund të ketë efekt vetëm tek të painformuarit dhe qarqet nacionaliste në Serbi. Ngjarja ndodhi pak pas vizitës së kryediplomates europiane, Kaja Kallas në Kosovë dhe thirrjeve të saj për uljen e tensioneve në veriun me shumicë serbe.
Incidenti i ndodhur të premten ka shkaktuar reagime të shumta. Sipas videove që po qarkullojnë në rrjetet sociale, një grup maturantësh nga komuniteti serb po festonte mbarimin e vitit shkollor me një paradë nëpër qendër të qytetit, kur një polic ndaloi njërin prej tyre për shkak se kishte provokuar njerëzit në një kafene aty pranë. Të rinjt shihen edhe me flamuj serbë në dorë teksa brohorasin një zëri.

