Kronike
Inflacioni arrin shifrën rekord
Për të nëntin muaj radhazi në tetor, Inflacioni bazë u rrit duke arritur një rekord të ri historik.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues arriti në 9%, nga 8% që kishte qenë për muajin shtator.
Megjithatë, ana pozitive e medaljes është që ritmi i rritjes së këtij treguesi u ngadalësua ndjeshëm. Rritja mujore me 0.17% është më e ulëta e regjistruar gjatë këtij viti.
Inflacioni bazë është indikatori me peshën kryesore në vendimmarrjen e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.
Inflacioni bazë është një tregues veçanërisht i rëndësishëm në vendimmarrjen e politikës monetare, sepse tenton ta zhveshë inflacionin total nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër. Ai përfaqëson pjesën më të qëndrueshme të inflacionit që ndikohet nga faktorë të kërkesës dhe për rrjedhim të politikës monetare.
Nëse edhe për nëntorin inflacioni bazë shfaq tendenca stabilizimi, kjo mund të krijojë hapësira për një rritje në përmasa më të vogla të normës bazë të interesit.
Në fillim të muajit nëntor, Banka e Shqipërisë aplikoi rritjen e tretë radhazi me 0.5 pikë përqindje të normës bazë të interesit, duke e çuar këtë tregues në 2.75%, niveli më i lartë që prej vitit 2013.
Rritja e shpejtë e normave të interesit po bëhet një shqetësim për tregun financiar. Lëvizjet e Bankës së Shqipërisë janë përcjellë me ritme të shpejta në yield-et e bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Kjo ka rritur koston e huamarrjes për qeverinë, por ka shkaktuar edhe një reaksion zinxhir efektesh të tjera në tregun financiar.