Connect with us

Sport

Interesimi i Interit për Ramadanin, Lecce i vendos çmim

Ylber Ramadani tek Inter nuk është thjeshtë një thashethem, apo një dëshirë e lojtarit dhe përfaqësueseve të tij, por është një ide konkrete e stafit zikaltër. Pak ditë më parë ishte e përditshmja italiane, Ilromanista.it, që shkruante se mesfushori kuqezi ka përfunduar në radarët e Interit, ndërsa së fundmi është vetë Ramadani, i cili në një intervistë për SuperSport pohoi se klubi nga Milano ka shfaqur interesim për të: “Menaxheri im ka qenë në Tiranë, ka takuar dhe ka qëndruar gjithë kohën me Ausilion. Motivim shumë i madh për mua, nuk duhet të ndaloj së punuari që të shkoj tek Interi”, u shpreh Ramadani. Në vitin e tij të parë, në vetëm 11 javë, Ramadani ka arritur të tërheq vëmendjen e një klubi të madh si Inter. Mesfushori shqiptar është kthyer në një pikë kyçe për Leccen, ku në 11 javë, vetëm në një sfidë, atë kundër Juves, është zëvendësuar, ndërsa në të gjithë ndeshjet është aktivizuar 90 minuta të plota. Lecce investoi në verë 1,2 milionë euro për ta marrë nga Aberdin, ndërsa tashmë mund të përfitojë një shumë të majme, duke përfituar nga interesimi i një gjiganti si Inter. Për momentin në vlerësimin e muajit tetor, vlera e kartonit të Ramadanit ka shkuar në 1,8 milionë euro, por sipas mediave italiane, Lecce nuk heq dorë nga “motori” kuqezi pa të paktën 10 milionë euro.

Advertisement