Politike
Ish-këshilltari i PD: Këta akoma bëjnë sikur luftojnë komunizmin, dinë vetëm ‘Rama, Rama
Neritan Sejamini ka kritikuar mënyrën se si Partia Demokratike bën opozitë, duke vijuar të flasë për komunizmin, me fushata që ngjajnë si ato të viteve 90′ dhe nuk u përgjigjen më kërkesave dhe pikëpamjeve të shqiptarëve. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Sejamini tha se opozita nuk merret me hallkat që e mbajnë pushtetin e Ramës, si oligarkët, madje është në partneritet me ta. “PD e sotme nuk merr parasysh ndryshimet e mëdha që kanë pasur shqiptarët në 30 vite. E koncepton si betejat e viteve 90’. Mendësia e PD është mendësia e 30 viteve më parë. E koncepton gjithçka si luftë heroike. Njerezit që kanë lindur në vitin 90′, sot janë 33 vjec. Nuk kanë asnje mbresë nga komunizmi, kanë halle të tjera. PD ka qenë 15 vjet në pushtet, mund ta kishte luftuar komunizmin. Kur është në pushtet rri me oligarkët, rri me “intelektualët” edhe me ish spiunët e sigurimit. Kur del në opozitë, merret me komunizmin. Kujt i thotë, një 18 vjeçari i flet për komunizmin?! Tjetra, një pjesë prej tyre janë njerëz shumë shumë të pasur. Edhe ata vetë nuk janë si në vitet 90′. Sot janë të veshur, të ushqyer, me luks dhe me vila. Kjo që bën PD stonon me interesat e njerëzve dhe perceptimin që kanë njerëzit. Gjithë sistemi në Shqipëri është thellësisht autokrat dhe e mban pushtetin me një dorë oligarkësh. Opozita është indiferente ndaj tyre. Nëse opozita nuk shkatërron këtë regjim dhe çdo hallkë të saj, nuk ka si vjen në pushtet. Me “Rama, Rama, Rama, Rama”, nuk vjen dot në pushtet. Po me oligarkët e Ramës, që bëhet fjalë për miliona dhe miliarda, që po hanë parkun dhe bregdetin?”, tha Sejamini.