Connect with us

Bota

Ish-presidenti Trump shton sulmet personale ndaj Robert Kennedy: Kandidat fals!

Ish-presidenti Donald Trump njihet për sulmet e vazhdueshme dhe ndonjëherë personale ndaj rivalëve kryesorë, si presidenti Joe Biden. Rishtazi, ai e ka intensifikuar këtë përqasje ndaj kandidatit të pavarur për president Robert F. Kennedy Jr. Trump postoi këtë javë një video rreth katëminutëshe ku e quan zotin Kennedy një kandidat fals të demokratëve dhe një “liberal radikal i majtë” që është nxjerrë si kandidat për të ndihmuar presidentin demokrat. Ish-presidenti Trump sulmoi të gjithë anëtarët e familjes Kennedy, duke i quajtur “një tufë të çmendurish”.

“Ai nuk është republikan, kështu që nuk mendoj se mund të votoni për të dhe të ndiheni mirë”, u tha kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane mbështetësve të tij në rrjetin Truth Social

Bërja e sulmeve të tilla të ashpra ndaj zotit Kennedy mund të jenë një sinjal për shqetësimin e zotit Trump dhe ekipit të tij elektoral për kandidimin e pavarur të zotit Kennedy në një garë elektorale që pritet të jetë e ngushtë dhe kur një kandidat i tretë mund të tërheqë mjaftueshëm vota për të dëmtuar njërin prej kandidatëve kryesorë.

Ndërsa gjendemi gjashtë muaj larg ditës së zgjedhjeve, për të cilat amerikanët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për një ripërballje Trump-Biden, zoti Kennedy është vetëofruar si një alternativë. Disa nga çështjet tek të cilat ai është përqëndruar, si mbështetja e vendosur për Izraelin dhe kritikat ndaj masave izoluese që u bënë për pandeminë, mund të jenë më tërheqëse për votuesit konservatorë, se sa ata demokratë.

Anketimet e deritanishme tregojnë se shumë më tepër republikanë se sa demokratë kanë një opinion të favorshëm për zotin Kennedy, megjithëse shumë amerikanë nuk kanë njohuri të mjaftueshme se çfarë ai përfaqëson. Në një anketim në shkurt të Qendrës për Studime të Çështjeve Publike, të agjencisë së lajmeve Associated Press, mbi gjysma e republikanëve, 53%, kanë opinion më të favorshëm për zotin Kennedy, krahasuar me 30% të demokratëve. Rreth një e katërta e votuesve nga të dyja partitë thanë se nuk dinin mjaftueshëm rreth tij.

Ekipi elektoral i zotit Kennedy thotë se ai rrezikon si zotin Trump ashtu edhe zotin Biden, i cili gëzon mbështetjen e disa anëtarëve të vetë familjes Kennedy dhe e quan “nder të jashtëzakonshëm” mbështetjen e tyre për kandidimin e tij. Presidenti Biden përgjithësisht nuk e përmend zotin Kennedy, i cili në të kaluarën e ka sfiduar si kandidat brenda Partisë Demokrate, përpara se të fillonte fushatën si kandidat i pavarur.

Zoti Kennedy ka sfiduar edhe zotin Trump, duke i kërkuar që të bëjnë një debat gjatë një aktiviteti ku do të marrin pjesë të dy, megjithëse në ditë të ndryshme.

Megjithatë, zoti Kennedy ka sfida të vështira përpara.

Si kandidat i pavarur, emri i tij nuk mund të shfaqet automatikisht në fletëvotime. Atij i duhej të punojë shumë për të siguruar firma për kandidimin në të 50 shtetet, proces për të cilin ka thënë se do ta realizojë brenda verës. Sipas ekipit të tij elektoral, ai e ka arritur këtë tashmë në pesë shtete, në Kaliforni, Dellauer, Miçigan, Oklahoma dhe Jutah, si dhe ka mbledhur firmat edhe për tetë shtete të tjera. Në disa prej këtyre shteteve, zyrtarët zgjedhorë nuk kanë arritur ende të bëjnë verifikimin e firmave.

Zoti Kennedy thotë se pozicionimi i tij i fortë në disa anketime në nivel kombëtar i jep baza për ta konsideruar veten një kandidat konkurues, megjithëse anketimet e këtilla janë përgjithësisht jo shumë të besueshme në një fazë kaq të hershme elektorale.

Krahas dallimeve, ekzistojnë edhe disa çështje për të cilat zoti Kennedy dhe zoti Trump duket se janë në të njëjtën linjë.

Si zoti Trump, edhe zoti Kennedy është një mbështetës i vendosur i Izraelit në luftën ndaj Hamasit. Në prill, ai sugjeroi se procesi hetimor dhe gjyqësor ndaj personave që morën pjesë në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit në 6 janar 2021, mund të jetë i motivuar politikisht. Ky qëndrim e vendos atë në të njëjtën linjë me zotin Trump dhe aleatët e tij.

Zoti Kennedy bëri megjithatë edhe kritika ndaj zotit Trump, duke thënë se sulmi në Kapitol u bë me “inkurajimin” e zotit Trump dhe “në kontekstin e iluzionit të tij se zgjedhjet ja vodhën”. Sidoqoftë, zoti Kennedy ka thënë se nëse do të bëhej president, ai do të emëronte një prokuror të posaçëm që do të hetonte nëse zoti Trump u përzgjodh politikisht për t’u hetuar.

Zoti Kennedy gjithashtu e ka akuzuar zotin Trump për dëmin ekonomik ndaj klasës së mesme. Zoti Kennedy i quajti masat izoluese gjatë pandemisë “gjëja më e keqe që bëri për vendin”, megjithëse pranoi në të njëjtin fjalim se ish-presidenti Trump “fajësohet për shumë gjëra që nuk i ka bërë”./VOA

Advertisement