Connect with us

Aktualitet

ITINERARI- Skandali me salmonelën, ‘diMal’ i shiti filetot pa pritur analizat e AKU

Zbulohen detaje të tjera lidhur me skandalin e mishit me salmonelë që është importuar nga Brazili dhe është shitur në vendin tonë. Mishi ka hyrë në vendin tonë më datë 11 mars me vulën dhe certifikatën e cilësisë, por mostrat janë marrë vetëm pak ditë më vonë nga ana e agjentëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Rezultatet e analizave kanë dalë pas 3-4 ditësh që nga marrja e monstrave, kur në fakt duhet që të dilnin brenda 24 orëve.

Sipas analizave të kryera në ISUV, u zbulua se mishi ishte infektuar me “Salmonella Typhimurium”, por që në këtë kohë, mishi ishte shitur.

Të njëjtat burime  thanë se AKU ka tentuar që të gjurmojë produktin përmes faturave të shitjeve, duke zbuluar se është dërguar gjithsej në 142 subjkeve të ndryshme. Gjithsej, nga 27 ton, janë shitur 13.5; shumica në qarkun e Kukësit, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë nëpër marketet e gjithë vendit. Vetë kompania “diMal” thotë që është distributor/shpërndarës në Big Market, Xhangolli, Euromarket dhe Joena. Por nuk dihet nëse është shitur edhe në markete të tjerë.

Skandali është zbuluar mbrëmjen e djeshme në media, por deri më sot nuk kishte asnjë njoftim as nga Ministria e Mjedisit dhe as nga AKU-ja. Kjo e fundit u detyrua që të reagonte sot për të thënë vetëm se çështja i ishte referuar Prokurorisë së Tiranës. Ndërkohë injoruan faktin se nuk kishin bërë asnjë njoftim për të lajmëruar qytetarët që të mos e blinin mishin e shitur nga kjo kompani, duke vënë kështu, rrjedhimisht jetën e konsumatorëve në rrezik.

E njëjta “skemë” është përdorur edhe sa herë të tjera ka pasur skandale të ngjashme ushqimore. Pak javë më parë, u zbulua edhe skandali i mandarinave me pesticide, të cilat pasi u refuzuan nga vendet e Bashkimit Europian, në rastin tonë Kroacia, u kthyen dhe u shitën për shqiptarët. Për këtë gjë, askush nuk mban përgjegjësi./ zeri

Advertisement