Bota
Izraeli sfidon Turqinë nga 30 km larg, Erdogan zbulon planin izraelit për copëtimin e Lindjes së Mesme
“Kushdo që njeh historinë, historinë e feve, politikën dhe diplomacinë, do ta kuptojë lehtësisht lidhjen e çështjes me Jerusalemin, Xhaminë Al-Aksa dhe lakminë për tokën e premtuar. Ne e dimë shumë mirë se cila është toka e premtuar. Ata fjalë për fjalë po hyjnë në një garë për të sfiduar Turqinë në një distancë prej 30 kilometrash.”
Kjo ishte një pjesë e fjalimit të Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në eventin “TEKNOFEST 2024” që po zhvillohet në Adana, përmes së cilës donte të shpjegonte sipas tij qëllimet e vërteta të luftës që Izraeli i ka shpallur Libanit.
Erdogan u shpreh më tej se Ankaraja i ka të qarta qëllimet e administratës izraelite për të ndarë hartën e Lindjes së Mesme.
Por Turqia sipas Erdoganit do të luftojë për t’u mbrojtur vetë dhe njëherësh për të mos lejuar copëzimin e rajonit.
“Jemi përballë një gjendjeje çmendurie nga ku marrin kënaqësi duke vrarë edhe foshnjat që mbajnë nënat në krahë. Një plan tinëzar është vënë në praktikë në rajonin tonë, i cili nuk do të kufizohet në Gaza, Bregu Perëndimor dhe Liban. Nuk ka nevojë të jesh një profet për të parë dhe kuptuar se cili është qëllimi përfundimtar i këtij plani. Ne do të mbrojmë siç duhet atdheun dhe qytetarët tanë nga sytë e këqij. Përballë çmendurisë në të cilën ndodhet rajoni ynë, ne do të qëndrojmë në anën e drejtësisë, në anën e të shtypurve, siç kemi bërë deri tani. Ne nuk do të lejojmë që rajoni jonë të copëtohet sërish me një ndarje të re Sykes-Picot. Toka e këtij vendi do të jetë gjithmonë e sigurt”, deklaroi Erdogan.
Në fund nuk e kurseu aspak një akuzë për Perëndimin, duke thënë se ata e furnizojnë Izraelin me armë dhe bomba, duke mbyllur sytë para masakrave mbi civilët në Gaza e Bejrut.
“Pavarësisht të gjitha këtyre fakteve, për fat të keq, fuqitë perëndimore vazhdojnë t’i ofrojnë armë, municione, inteligjencë dhe mbështetje diplomatike. Është e qartë se nga kanë ardhur mijëra tonë bomba që kanë rënë në Gaza dhe Liban, nga janë prodhuar dhe se kush i ka furnizuar. Me gjithë respektin e duhur, ata që ofrojnë bombat janë po aq përgjegjës për çdo pikë gjaku të derdhur, ashtu si ata që hedhin bombat. Këtë më duhet ta them shumë qartë këtu”, theksoi Erdogani.