Shkrime
Ja se çfarë kanë thënë për Edi Ramën….
Nga Lutfi Dervishi
Aleksandër Vuçiq: Po të mos ishte Edi, “Ballkani Hapur” do të ishte në luftë.
Rexhep Taip Erdogan: Nuk kam çfarë t’i bëj vëllait tim Edi se për 24 orë e kisha fshirë Greqinë nga faqja e dheut.
Henry Kissinger: Nuk kam takuar në jetën time shekullore një të dytë që ka kapur thelbin e ekuilibrit të kontradiktave që burojnë nga forcat antagoniste të interesave shtetërore të superfuqive.
Emanuel Macron: Vetëm unë dhe Edi kemi një strategji të qartë se pse nuk duhet të nxitohemi në anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE.
Olaf Scholz: Mes procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur, si kancelar i Gjermanisë zgjedh të parën, por ama s’mund të fsheh frikën se Ballkani Hapur do të konkurrojë jo vetëm projektin tonë, por edhe vetë projektin e BE-së.
Angela Merkel: Putinin e mund vetëm Edi. Më ka dhënë fjalën se do të qëndroj në pushtet më shumë se Vladimiri.
Volodomir Zelensky: Sot më vjen keq që nuk zbatova këshillën që më ka dhënë Edi. Ai më sugjeroi modestisht: Shko vetë ose dërgoji një njeri Putinit ku ta pyesni se çfarë do dhe… jepjani.
Vladimir Putin: Lavrov më ka këshilluar se nëse do të përmirësosh marrëdhëniet me Amerikën, të mbyllësh luftën në Ukrainë si dhe të shesësh përsëri gaz në Europë, duhet të bisedoj paraparakisht me liderin e popullit të dikurshëm mik Edi Rama. Nuk dua ta takoj se kam frikë se më prish mendjen.
Joe Biden: Pa Shqipërinë aleate, pa lidershipin e Edit, bota sot do të ishte edhe më e pasigurt sesa gjendej në mes të pandemisë.
Donald Trump: Ai, djali nga Shqipëria. Great guy. Në samitin që u mbajt në kompleksin e ri të NATO-s, më tha: Imagjino si do të ishin këto godina sikur t’i kishe ndërtuar ti. Great Guy!
Antonio Gutérrez: Më mirë të kisha përjetuar nisjen e një lufte bërthamore se sa të dëgjoja fjalimin gjithë barut të Edit në OKB.
Hashim Thaçi: Qe besa e Zotit jo 3, por edhe 13 vjet burg ja ka vlejt boll me i bo këtu në Hag veç për atë fjalim që Edi ja ka qendis Dick Martit.
Vjosa Osmani: Edhe nëse shkon Aleksandër Vuçiq në Hagë, për krimet që ka bo në Kosovë, apet del se ka avokat Edi Ramën.
George Soros: Sot, unë nuk jam më i sigurt nëse idenë e Shoqërisë së Hapur e kam vjedhur nga Karl Popper apo nga Edi Rama?
Ali Ahmeti: Me Edin, merremi vesh edhe pa folur. Na mjafton të tundim kokën.
Viktor Orban: Unë kam fituar katër herë zgjedhjet duke sulmuar Sorosin. Ky, miku im i ka fituar tri herë duke qenë miku i Sorosit. Kërkon miqesi me mua ta mësoj si fitohen zgjedhjet duke sulmuar Sorosin!
Albin Kurti: Unë me Edin jemi lidhur pazgjidhshmërisht nga pasioni: ëndrra ime është të drejtoj opozitën e ëndrra Edit është të drejtojë edhe opozitën.
Milo Gjukanoviç: Unë kam 30 vjet në politikë në Mal të Zi dhe herë – herë jam tërhequr. Zgjedhjet e fundit i humba.. Po ta kisha mik Edin do t’i fitoja.
Kyriakos Mikotakis: Ne prisnim një sherr të gjatë për çështjen e detit, Edi na e futi si efendiko. Shkojmë në gjykatë -tha dhe aty rregullohemi.
Lulzim Basha: Më 2017 ai më dha më shumë se çfarë i kërkova dhe pastaj më la fare pa gjë.
Sali Berisha: Me atë zotërinë kam ndryshuar kushtetutën më 2008, ia kisha toleruar ndonjë shit-blerje vote kur ishte kryetar bashkie, por as që e imagjinoja që do të blinte edhe kryetarin e opozitës.
Ismail Kadare: Tani nuk më kujtohet fort mirë nëse te “darka e gabuar” kam personazh kryesor oficerin gjerman, apo këtë Edin.
Armando Duka: Do Zoti nuk i shkon mendja, të bëhet President i FSHF…
Maqo Lakrori: mund t’a kisha mposhtur Ramën, por kurrë nuk do të mund të konkurroja me historinë!
Fatos Nano: Nuk ka lënë fjalë pa thënë për mua, së fundmi më thotë edhe “kryetar historik”
Ilir Meta(j): unë kam qenë, sekretar shteti, ministër, zëvendës Kryeministër, Kryeministër, Kryetar Parlamenti, President. Si është e mundur që ky Ed(vin) Rama, që trembet si lepur para meje, i ushtron të gjitha këto funksione nga një karrike?!
Bajram Begaj: Edhe sot e kësaj dite nuk e di si i shkoi ndërmend shef Edit për mua!
Boris Johnson: Edi më tha në zyrën time: Ti që nxore Anglinë nga BE, nuk ka burrë nëne të të nxjerrë nga zyra. Mos ik!
Tony Blair: Ndihem i nderuar që jam këshilltar i Edi Ramës dhe dyfish i nderuar që marr këshilla prej tij.
At Zef Pllumi: Më në fund u gjet njeriu që do të shkatërrojë Partinë Socialiste!
Papa Françesku: E kush jam të gjykoj Edi Ramën
Edi Rama: Nuk jam më i miri, por për më të mirë se unë mos u lodhni kot!