Politike
‘Jam sëmurë me zemër dhe diabet’, Fredi Beleri kërkon të lirohet
Nga ambientet e burgut të Vlorës, ku ndodhet aktualisht Dhionisis alias Fredi Beleri, kandidati fitues i kualicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë Himarë, ka kërkuar të transferohet në spitalin e burgut në Tiranë. Përmes burimeve në SPAK, dy kërkesat për transferimin e Fredi Belerit, janë dorëzuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Që nga momenti i arrestimit, Beleri ka pretenduar se ka probleme me zemrën dhe nivelin e lartë të diabetit.
Por pavarësisht kësaj, kërkesat e kandidatit fitues në Himarë, nuk janë konsideruar të sinqerta. Pasi gjyqtarja e Vlorës, Dorina Stroka, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.
Tashmë, pritet që në ditët në vijim, dy kërkesat e Fredi Belerit, pritet të shqyrtohen nga një komision pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do vendoset nëse do miratohet ose jo transferimi i tij, nga ambjentet e burgut në Vlorës drejt spitalit të burgut në Tiranë.
Aktualisht çështja penale kundër Fredi Belerit dhe bashkëpunëtorit të tij, Pandeli alias Pano Kokaveshi, është transferuar në prokurorinë e posaçme SPAK.
Gjatë kësaj jave, Kokaveshi dhe Beleri të dalën sërish para gjykatës së posaçme, ku do i nënshtrohen procesit të rivlerësimit të masës së sigurimit “arrest në burg”.
Nëse gjykata do vendosë vijimin e qëndrimit në burg të Fredi Belerit, një gjë e tillë do sillte një ngërç procedurial ligjor të mënyrës se si do kryhet betimi përpara Këshillit Bashkiak, të kryetarit fitues në bashkinë e Himarës.
Kjo pasi Beleri ndodhet i izoluar në ambientet e burgut, dhe legjislacioni shqiptar e kërkon që kryetari i ri i bashkisë, merr detyrën zyrtarisht pasi bën betimin para anëtarëve të Këshillit Bashkiak.
Beleri, fitoi me vetëm 19 vota diferencë ndaj konkurrentit të Partisë Socialiste Jorgo Goro. Me rezultatin e fitores, Beleri u njoh në ambientet e burgut të Vlorës.