Aktualitet
Jo vetëm SPAK! Inceneratori i Elbasanit po hetohet edhe nga Prokuroria

Inceneratori i Elbasanit nuk po hetohet vetëm nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Hetimet i ka nisur edhe Prokuoria e Elbasanit. Sipas “Top Channel”, organi i akuzës së Elbasanit ka regjistruar dosje penale për 2 vepra penale; atë të shkatërrimit të pronës me zjarr dhe ndotjen e ajrit.
Hetimet kanë nisur për zjarrin që përfshiu inceneratorin e Elbasanit në korrik të vitit 2023 dhe tashmë, Prokuroria po heton shkaqet e zjarrit dhe impaktin që ka pasur në mjedis. Në dosje, prokurori Xhelian Seferi ka zgjeruar hetimet më tej ku përveç nenit 151 ka përfshirë edhe nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale. Do të hetohet edhe shoqëria “Eco Alb”, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Nga SPAK, ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako janë gjetur fajtorë në çështjet e inceneratorit të Fierit dhe atë të Elbasanit. Vendimi për inceneratorin e Elbasanit ka marrë formë të prerë, ndërsa çështja e Fierit u kthye për rigjykim nga Apeli i Posaçëm.
Koka u shpall fajtor dhe u dënua me 10 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi konvertohet në 6 vite e 8 muaj burg. Në Shkallën e Parë, u dënua me 8.6 vite burg, por me gjykim te shkurtuar Koka përfundimisht do të kryente 5 vite e 6 muaj burg. Ndërsa Bllako u shpall fajtor për shpërdorim detyre duke e dënuar me 4 vite burg, akuzë për të cilën GJJKO e shpalli të pafajshëm. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i konvertohet në 2 vite e 8 muaj burgim. Biznesmeni Klodian Zoto, u deklarua fajtor dhe u dënua me 10 vite burg, por me gjykim i shkurtuar përfitoi zbritjen në 6.8 vjet heqje lirie. Të njëjtën masë dënimi gjykata dha edhe ndaj biznesmenit tjetër Mirel Mertiti. Ndërkohë Stela Gugallja, administratore në inceneratorin e Elbasanit, u dënua me 7 vjet heqje lirie, por me gjykim të shkurtuar përfitoi zbritjen në 4.8 vjet.
Me 4 vjet burg u dënua Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit të Shpronësimit, por me gjykim të shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet, ndërsa për anëtarin e komisionit Bardhyl Cabiri, GJKKO vulosi dënimin me 2 vjet burg dhe anëtaren Jonida Zeqo 4 vjet, por me gjykim i shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet burg. 1.4 vite do të vuaj edhe ish-anëtari tjetër i komisionit, Serafin Papa, teksa i shuhet masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi ka përfunduar koha e dënimit gjatë qëndrimit. GJKKO vendosi që kompanitë “Albtek sh.p.k.” dhe “Integrated Energy”, t’u hiqet titulli i subjektit juridik dhe aksionet e tyre ti kalojnë shtetit.

