Bota
‘Ka një erë vdekjeje në ajër’/ Kaos në Teheran, civilët përpiqen të ikin ose të gjejnë strehim

Ishte pak pas orës 16:00 kur dritaret e shtëpisë së Nahidës* filluan të dridheshin. Një bombë izraelite goditi një ndërtesë aty pranë – ajo nuk mund të shihte se ku – dhe shumë shpejt shtëpia e saj filloi të mbushej me tym. Ishte dita e tretë e bombardimeve izraelite të Iranit dhe situata në Teheran po përkeqësohej.
“Kjo është një masakër. Shpërthimet nuk kanë pushuar. Fëmijët po qajnë dhe kemi frikë se shumë civilë janë vrarë. Ka një erë vdekjeje në ajër. Nuk mund të ndalem së qari,”- tha për Guardian nëpërmjet një mesazhi Nahid*, një konsulente financiare 25-vjeçare në një kompani tregtie elektronike në Teheran.
Banorët filluan të largoheshin nga Teherani dhe të niseshin drejt fshatrave, ndërsa sulmet izraelite ndaj kryeqytetit iranian u përshkallëzuan, me bomba që binin mbi ndërtesa. Autoritetet nuk dhanë një numër zyrtar të viktimave, por të paktën 138 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga sulmet ndaj Iranit që nga e premtja.
Bombardimet filluan herët të premten në mëngjes kur Izraeli nisi qindra sulme ajrore në atë që e quajti një operacion që synonte parandalimin e Iranit për t’u pajisur me armë bërthamore. Irani u përgjigj shpejt me një breshëri raketash balistike dhe ka vazhduar të godasë Izraelin, duke vrarë 10 persona, përfshirë tre fëmijë, në sulmet ajrore ndaj ndërtesave të banimit të shtunën në mbrëmje. Ndërsa konflikti vazhdoi të përshkallëzohej, autoritetet iraniane njoftuan se do të hapnin stacionet e metrosë dhe shkollat e Teheranit për t’i përdorur si strehimore.
“Fatkeqësisht, ne në Teheran dhe në qytete të tjera nuk kemi strehimore,”- tha Mehdi Chamran, kryetari i këshillit bashkiak, ndërsa u bëri thirrje civilëve të përdorin edhe bodrumet si strehimore të improvizuara kundër bombave.
“Nuk jemi të sigurt se xhamitë, shkollat apo stacionet e metrosë do të jenë të sigurta. Po sikur të varrosemi nën tokë? Unë dhe motrat e mia do t’u bëjmë thirrje prindërve dhe fqinjëve të largohen nga shtëpia,”- tha Nahid.
Në rrugët e Teheranit pati skena kaosi, ndërsa banorët nxituan të blinin ushqime përpara se dyqanet të mbylleshin.
“Njerëzit po vrapojnë nëpër rrugë dhe po bërtasin. Është jashtëzakonisht e rrezikshme të dalësh jashtë tani, por nuk kemi zgjidhje tjetër,”- tha Reza*, një student në Universitetin e Teheranit. 21-vjeçari përshkroi radhë të gjata në pikat e karburantit ndërsa ai dhe të tjerët mbushnin makinat e tyre përpara se të niseshin për në qytetet nga vinin.
Ndërsa banorët prisnin në radhë për karburant ose për para në bankomate, filloi të përhapej një ndjenjë paniku. Të tjerë tentonin të kontaktonin me të dashurit e tyre edhe pse rrjeti i telefonisë celulare të Iranit u ndërpre. Ekspertët thanë se sulmi i Izraelit kishte ndodhur në një pikë kritike për qeverinë iraniane, e cila është tronditur nga protestat e viteve të fundit dhe nga një krizë ekonomike në thellim. Çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera thelbësore janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, ndërsa monedha e Iranit, riali, u zhvlerësua me shpejtësi.
“Kjo luftë vjen në një situatë shumë akute brenda vendit, sepse kemi krizën më të rëndë ekonomike prej dekadash”, tha Dr. Ali Fathollah-Nejad, themeluesi dhe drejtori i Qendrës për Lindjen e Mesme dhe Rendin Global.
Iranianët përdorën mediat sociale për të ironizuar mungesën e përgatitjes së qeverisë. Madje edhe ndanë video të zyrtarëve të lartë ushtarakë që thoshin se Izraeli nuk do të guxonte kurrë të sulmonte Iranin. Zyrtarët më parë kishin trumpetuar aftësinë e Iranit për të penguar sulmet përmes aftësive të forta ushtarake. Brenda Iranit, televizioni shtetëror transmetoi pamjet e sulmeve iraniane ndaj Izraelit dhe minimizoi ndikimin e sulmeve izraelite. Por pavarësisht qeverisë, ndjenja e të qenit nën sulm ka nxitur një ndjenjë uniteti midis disa iranianëve.
“Kemi dëgjuar thashetheme për ndryshim regjimi, veçanërisht nga izraelitët dhe amerikanët. Duket më shumë si shaka,”- tha Hadi*, një banor i Teheranit në të 60-at. Ai shtoi se midis miqve të tij, ata që fillimisht ishin kundër zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani, tani mendonin se vendi kishte nevojë për një arsenal atomik për t’u mbrojtur nga Izraeli.
“Shumë iranianë mund ta kritikojnë qeverinë dhe t’i kundërshtojnë strategjitë, por historia ka vërtetuar se iranianët bashkohen kur sulmohen nga një vend i huaj,“-shtoi ai për “The Guardian“.
*Disa emra janë ndryshuar për të ruajtur anonimatin

