Politike
Kadilli: Basha fajtor, s’bëri dot asnjë betejë. Pikëlluese të shohësh PD në këtë gjendje
Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, Fatbardh Kadilli bën fajtor Lulzim Bashën për situatën në të cilën ndodhet partia. I ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, Kadilli thotë se Basha nuk bëri asgjë për ta mbajtur partinë të bashkuar dhe për të izoluar aksionin e ndërmarrë nga Sali Berisha.
Sipas tij, Partia Demokratike ka probleme të rënda me të vërtetën ndërsa Foltorja nuk ka asnjë lidhje me atë që proreklamonte, për t’u bërë një parti më demokratike.
Pjesë nga intervista:
Kadilli: Ajo që ndodh në Shqipëri, një magnet që nuk të lejon të shkëputesh edhe sikur të duash është një investim i madh, i bërë nga shumë njerëz për një parti që lindi si shpresë dhe vrau shpresën e opozitarizmit. Është pikëlluese të shohësh në këtë gjendje partinë që lindi si shpresë dhe që nuk po arrin dot të krijojë një projekt politik.
Basha fajtor për situatën ku ndodhet PD?
Kadilli: Ndaj të njëjtin mendim. Në fillim kam besuar fort që përgjegjësia e ndarjes vjen nga aksioni individual i z. Berisha për arsyet e veta politike dhe personale që e çoi partinë në çarje. Ajo që u nis si Foltore nuk kishte asnjë lidhje me atë çfarë proklamonte, nuk kishte asnjë lidhje me idetë politike për të bërë një parti më demokratike më të hapur. Madje shumë teza të manifestit tim politik u keqpërdorën në atë turin e zhurmshëm të Berishës në vjeshtën e vitit 2021. Madje edhe në statut u përfshinë disa gjëra, por nga ai manifest u morën fjalë jo mendime. U mor fraza por jo besimi te ajo vlerë që përfaqësohej.
Dhe përfundimi është që sot unë ndaj më shumë përgjegjësi për z. Basha i cili nuk bëri dot asgjë, asnjë betejë të sinqertë, të vërtetë për të mbajtur PD të bashkuar, për të izoluar aksionin e Berishës. Dhe kur kujtohet të lëvizë, lëviz në mënyrë shumë të cekët, e palidhur me qytetarin. Çdo gjë që thuhet në të dy pjesët e PD, janë politika, nëse do e quaj të tillë, por nuk është politikë që i flet qytetarit. Dhe kjo parti ka probleme të rënda me të vërtetën. Në të dy Kuvendet e PD, ia kam thënë të vërtetën në sy. Dhe nuk mund të jetë fituese e shkuara dhe humbja. Humbja nuk bëhet fitore dhe e shkuara nuk bëhet e ardhme