Connect with us

Shkrime

DOSJA EPSTEIN, KALBEZIMI I ELITAVE SHKON THELLE

Nga Edward Luce – FT/

Dosjet Epstein nuk i japin Amerikës qetësi apo zgjidhje, por përkundrazi e thellojnë më tej një skandal që tashmë është kthyer në simbol të epokës sonë, sidomos për faktin se një pjesë e madhe e materialeve ende nuk është bërë publike. Një Lenin apo Musolini i ri mund t’i shihte këto dosje si dru zjarri në pritje të një shkëndije revolucionare. Duke qenë se politika vjen pas kulturës, zemërimi moral i sotëm publik do të gërryejë edhe më shumë besimin në demokracinë amerikane. Si mund t’i përzësh të paaftët kur ata shtrihen në gjithë sistemin?

Në këtë kuptim, Donald Trump është përfitues afatshkurtër nga publikimi i fundit prej rreth 3 milionë faqesh. Edhe pse ai, bashkëshortja e tij dhe klubi Mar-a-Lago përmenden 38 mijë herë, Trump është në shoqëri aq të gjerë sa të tjerë po marrin po aq vëmendje. Teza e tij ka qenë gjithmonë se të gjithë kanë dorën në arkë. Në këtë aspekt, Trump mund të pretendojë një lloj justifikimi djallëzor. Por lehtësimi i tij ka gjasa të jetë i përkohshëm. Presioni mbi Departamentin e Drejtësisë për të publikuar pjesën tjetër të dosjeve do të vazhdojë.

Tipari më dëmtues i tyre është shtrirja e rrjetit të Epstein-it. Ai përfshin presidentin aktual të SHBA-së dhe një të mëparshëm, figura të mëdha të Wall Street-it, një rrjet personalitetesh nga universitetet elitare, sipërmarrës të Silicon Valley-t, zyrtarë qeverish të huaja, demokratë, republikanë, një influencer Maga, një studiues të majtë ekstrem, anëtarë të familjeve mbretërore britanike dhe norvegjeze, bashkëshorte dhe partnere të burrave të fuqishëm, juristë qeveritarë, drejtues firmash ligjore, regjisorë filmash dhe plot të famshëm. Rrjeti i Epstein-it është si një rezonancë magnetike e establishmentit.

Ideja se dikush nuk e dinte për dënimin e Epstein-it si abuzues seksual është absurde. Disa njerëz i refuzuan afrimet e tij shoqërore. Kur në vitin 2010 u ftua në një darkë të Epstein-it me Woody Allen-in dhe më pas me princ Andrew-n në Nju Jork, redaktorja e revistës, Tina Brown u përgjigj: “Çfarë dreqin është kjo…? Balloja e pedofilit?” Reagimi i Brown-it duhej të ishte i të gjithëve. Po ashtu edhe ai i Melinda Gates-it, ish-bashkëshortes së Bill Gates, e cila hyri një herë në shtëpinë e Epstein-it dhe u pendua menjëherë. Fatkeqësisht, këto reagime ishin të rralla. Më e zakonshme, për këdo që ka stomakun ta shohë këtë material, është ajo e ish-dukeshës së Jorkut, Sarah Ferguson-it: “Nuk jam ndierë kurrë më e prekur nga mirësia e një miku…”, i shkroi ajo Epstein-it.

Arritja më e jashtëzakonshme e Epstein-it ishte se u bë figurë e fuqishme në elitën e Nju Jorkut edhe pasi u regjistrua si agresor seksual. Në vitin 2012, katër vjet pas dënimit, Elon Musk i kërkoi Epstein-it një ftesë për “festën më të çmendur në ishullin tënd”. Në vitin 2013, Richard Branson i kërkoi Epstein-it të “sillte haremin e tij” herën tjetër që do të takoheshin. Një veçori e këtyre shkëmbimeve është se Epstein-i i lejon bashkëbiseduesit të thonë hapur atë që ai e mban të paqartë,  tonin e dikujt që merret me favore. Shpesh janë kërkesa të zakonshme: një prezantim, ose ndihmë për punësimin e djalit. Donacionet dhe bamirësitë përmenden shpesh.

Në një demokraci që e vlerëson veten, qëndrimi i vetëm i mbrojtshëm është të kërkohet publikimi i të gjitha dosjeve të mbetura. Se avokatët e Trump-it ishin selektivë në atë që publikuan, nuk ka dyshim; ata shkelën edhe premtimet e tyre, përfshirë anonimizimin e emrave të viktimave. Dhjetëra emra grash janë bërë publikë. Pasi nuk u dënua askush tjetër përveç Ghislaine Maxwell-it, bashkëpunëtores së Epstein-it, sistemi edhe një herë i zhgënjeu viktimat. Që mbrojtja e tyre nuk ishte prioritet, flet vetë. Frika e tyre e rinovuar hedh dritë mbi një sistem që duket se nuk ka mësuar asgjë nga skandali Epstein dhe nuk ka harruar asgjë.

George Orwell shkroi se “shkujdesja e gjuhës sonë na e bën më të lehtë të kemi mendime të marra”. Edhe pse analfabetizmi funksional te të arsimuarit nuk është krim, ai hap një dritare mbi mendjet e tyre. Do të ishte shumë më e vështirë të shfaqje epsh apo lakmi duke e hapur me “I dashur zotëri” ose “z. Epstein”, sesa me “ej vëlla”. E njëjta gjë vlen për shkurtimet si “cuz” në vend të “because” apo “R U?” në vend të “are you”. Ky zhargon i shpejtë dhe i cunguar, i përdorur nga njerëz me pushtet, është shpesh shenjë e një rënieje etike.

Meqë burgu për abuzuesit e tjerë të Epstein-it bëhet gjithnjë e më i pamundur me kalimin e kohës, pyetja më e thellë për Amerikën është nëse mund të rikthejë një kulturë turpi. Ata që u morën me Epstein-in për para, taksa apo lidhje jo kriminale janë shumë më tepër sesa rrethi i abuzuesve të dyshuar seksualë. Miqtë e zakonshëm të Epstein-it ishin mbështetësit e tij, që hoqën dorë nga turpi. Zbulimi i kësaj pakujdesie në çdo nuancë të elitës është një ngjarje e madhe kulturore në historinë e SHBA-së. Ata që pretendojnë se flasin për jo-elitën duhet të jenë të vetëdijshëm për përmasat e saj.

Advertisement