Connect with us

Bota

Kam ndaluar çdo muaj nga një luftë/ Trump bën bilancin për ‘Nobel’, por prova vendimtare mbetet Putini

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili ka ndërtuar profilin e tij politik mbi moton “America First” dhe shmangien e përfshirjes së SHBA-ve në konflikte të huaja, po synon një nga çmimet më prestigjioze në botë, Nobelin për Paqe.

Sipas La Stampa, sfida e tij më e madhe do të jetë takimi me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska, ku Trump shpreson të ndërmjetësojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila ka shkaktuar rreth 1,5 milionë viktima nga të dyja palët. Analistët paralajmërojnë se gjasat për një përparim janë të vogla, por një marrëveshje e drejtë për Ukrainën do të ishte një fitore diplomatike që nuk e arritën as Barack Obama e as Joe Biden.

Në muajt e fundit, administrata e Trump ka theksuar arritjet e tij të mëparshme në ndërmjetësimin e marrëveshjeve të paqes, përfshirë reduktimin e tensioneve mes Izraelit e Iranit, mes Indisë e Pakistanit, si dhe marrëveshjet e përkohshme mes Armenisë e Azerbajxhanit, apo ato mes Ruandës e Republikës Demokratike të Kongos.

“Kam ndalur gjashtë luftëra,” tha Trump muajin e kaluar në Skoci. “Mesatarja ime është një luftë në muaj.”

 Këto përpjekje kanë nxitur udhëheqës nga vende të ndryshme, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, presidentin e Pakistanit dhe liderët e Armenisë e Azerbajxhanit, të bëjnë thirrje publike që Trump të marrë Nobelin për Paqe. Edhe Hillary Clinton, një nga kundërshtaret e tij më të ashpra, ka deklaruar, ndoshta me ironi, se do ta mbështeste kandidaturën e tij nëse ai do të arrinte të ndalonte luftën në Ukrainë pa lejuar që Moska të marrë territor nga Kievi.

Megjithatë, vendimi i takon vetëm komitetit të Nobelit, i përbërë nga pesë anëtarë të emëruar nga parlamenti norvegjez, të cilët ndjekin kriteret e përcaktuara nga Alfred Nobel në testamentin e tij: çmimi t’u jepet atyre që “kanë bërë më shumë ose më mirë për vëllazërinë mes kombeve”.

Nëse takimi ne Alaske do të prodhojë një armëpushim të menjëhershëm, siç shpreson Trump, komiteti do ta ketë gjithnjë e më e vështirë ta injorojë kandidaturën e tij.

Advertisement