Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva ka deklaruar gjatë një fjalimi se “përmbushja e nevojave ushqimore të popullsisë duhet të jetë një politikë shtetërore” dhe se “kreu i qeverisë së një vendi ku njerëzit vuajnë nga uria duhet t’i pritet koka”.
Situata në Brazil po ndryshon ngadalë, por “nuk është e lehtë”, tha Lula, duke pranuar përpjekjet e qeverisë së tij.
Por “nëse do ta linim qeverinë dhe do t’ia kalonim pushtetin dikujt tjetër, uria do të kthehej. Sepse (luftimi i saj) nuk konsiderohet përparësi. Nuk duhet të jetë një angazhim qeveritar, por një detyrim kushtetues. Me një qeveri në të cilën dikush po vuan nga uria, qeveritarit duhet t’i pritet koka”, tha Lula gjatë një aktiviteti të Këshillit Kombëtar për Sigurinë Ushqimore dhe të Ushqyerjes (CONSEA)
Presidenti brazilian më pas kujtoi me lot një episod nga koha kur punonte si metalpunues në vitet 1960, në kushte të pasigurta ushqimore sa nuk kishte asgjë për të ngrënë, ndërsa thotë se i kishte zili kolegët e tij në pushimet e drekës. “Sa herë që kolegët e mi vinin një sanduiç në gojë, imagjinoja duke e ngrënë. I shikoja gjatë gjithë kohës, turpërohesha të thoja se kisha uri dhe kthehesha në punë”, tha Lula, duke shpërthyer në lot.