Shkrime
Kavaleria po vjen

Shkelja e meritokracisë në zgjedhjen e lidershipit sigurisht sjell mediokritet, por edhe dëshpërim dhe pakënaqësi të cilat shtyjnë për regjime më të mbyllura dhe diktatoriale. Kështu Chavez, kapiten ushtrie, hodhi idenë e përhapjes së revolucionit të Che Guevarës dhe Kastros në Amerikën Latine duke e shtyrë vendin drejt varfërisë dhe mizerjes; Maduro, si pasardhës i tij dhe ish-shofer autobuzi, e forcoi diktaturën chaviste duke shtypur opozitën dhe bashkëpunuar me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës; ish-presidenti i Filipines, Duterte, një ish-kryetar bashkie i një qyteti në periferi të Manilas, erdhi në pushtet në emër të luftës kundër drogës dhe përfundoi duke hedhur vetë drogmenët nga helikopteri; Rama, ish-mësues vizatimi, e ktheu Shqipërinë në një çiflig të madh turizmi, ku ai është pronari faktik i pronës dhe pasurisë publike ndërsa Shqipërinë e ktheu në vendin më të varfër të Europës, më të palumtur ku shqiptarët përpara se të largohen në masë dhe të pashpresë ‘lëpijnë’ nga larg vizatimet e shumta të zyrës kryeministrore. Duke u diskretituar shpejt në premtimet e shumta që këta liderë bënin për rilindjen e vendit dhe nevojën për të mbajtur pushtetin e tyre të korruptuar, regjimet e tyre tentojnë të instalojnë autokracinë dhe kontrollin e pushtetit. Ata manipulojnë zgjedhjet, kërkojnë të pasurohen duke dhënë koncesione dhe pasuri kombëtare, kontrollojnë mediat dhe bashkëpunojnë me krimin e organizuar për të legjitimuar drogën dhe dhënë hapësira për pastrimin e parave.
Këto regjime mbahen në këmbë nga përkrahja dhe përdorimi i tyre nga regjime te tjera autokratike dhe grupe interesi të cilat duan të avancojnë politikat e tyre të zonave të influencës dhe axhendave te fshehta financiare. Kështu, Maduro për të mbajtur pushtetin ka dhënë koncesione të mëdha Rusisë për naftën, Iranit dhe Turqisë për arin. Duterte u përpoq ti jepte koncesione Kinës për lëvizjen në detin e Kinës së jugut. Ndërsa Rama e ka kthyer Shqipërinë në një platformë eksperimentale për projektet politike dhe financiare të familjes Soros (shpesh edhe në pozicionin zyrtar si pjesë e qeverisë Shqiptare si në Samitin e Ukrainës), të projekteve të Soros për Ballkanin Perëndimor, si dhe koncesione hapësirash territoriale Melonit.
Ditët e fundit, presidenti i SHBA, Donald Trump, ka dënuar veprimtarinë e Soros në SHBA dhe ka bërë thirrje për institucionet e drejtësisë Amerikane të hetojnë këtë grupim radikal nën ligjin federal RICO, miratuar nga Kongresi Amerikan kundër organizatave kriminale dhe veprimtarisë së mafias. Gjithashtu SHBA e ka shpallur Maduron si lider kriminal, të paligjshëm nga zgjedhjet farsë, ka vendosur një çmim 50 milion $ për tja dorëzuar drejtësisë Amerikane dhe ka dërguar marinsat dhe kryqëzorët kundër organizatave të drogës në Venezuela dhe më gjerë. Ka ardhur koha që ky diktator të japë llogari dhe pasuritë e tij t’i kthehen popullit venezuelas.
Situata për të “mrekullueshmin radikal i majtë” Soros është akoma nën investigim. Ajo që dihet është se ai ndihet i mbrojtur në Shqipëri nga “vëllai i tij Rama”, të cilin vazhdon ta vizitojë dhe të darkojnë të sigurtë se do t’ia hedhin edhe Trump. Kjo siguri për Aleksin vjen se Rama sillet si lojtar dhe ka shitur interesat e vendit të tij në miq arabë dhe jo vetëm, të cilët do ta ruajnë pushtetin e tij.
Por nuk është kaq e thjeshtë dhe nuk ndodh gjithmonë kështu. Së pari, Rama duke bashkëpunuar me Soros ka shkatërruar demokracinë në Shqipëri, ka goditur opozitën dhe liderin e saj duke përdorur drejtësinë si armë pushteti.
Së dyti, Rama është evidentuar nga drejtësia amerikane si korruptuesi i zyrtarit të lartë McGonigal për ta përdorur atë në funksion të pushtetit të tij. McGonigal është një nga të përdorurit për të goditur presidentin Trump me dosjen ruse.
Së treti, Rama vazhdon të jetë aktiv në goditjen e politikave të paqes së Presidentit Trump, duke deklaruar në Romë se “ne nuk pranojmë këshilla nga të tjerët për sigurinë europiane”.
Së katërti, Rama ka punuar për të dëmtuar aleancën Shqiptaro-Amerikane si duke dënuar opozitën ashtu edhe duke ndërhyrë në politikën amerikane, si në vitin 2016 me deklaratat kundër Trump, ashtu edhe me dashurinë e pashpjegueshme për Alex Soros, duke i bërë sfidë direkte administratës Amerikane në dëm të interesave të kombit Shqiptar. Kur Rama justifikonte veprimtarinë e tij të korruptuar, mbushte me propagandë se nuk kishte alternativë tjetër në Shqipëri përveç tij, për arsyen se të tjerët ishin non grata, pa pranuar që këtë dëm për opozitën dhe vendin e tij e kishte gatuar vetë me ndihmën e “vëllait të tij”. Tani që veprimtaria e vëllait të tij Soros po investigohet brenda të famshmit ligj RICO kundër organizatave kriminale nga SHBA, Ramës nuk i ndihet zëri.
Por të gjitha këto fakte të pakundërshtueshme nuk vënë në lëvizje mekanizmin e administratës Amerikane që niset nga interesi i sigurisë së saj kombëtare. Dy janë çështjet që sensibilizojnë aksionin e politikës Amerikane:
Së pari, shpërdorimi i fondeve të taksapaguesve amerikanë nëpërmjet financimeve të USAID. Në materialet që qarkullojnë në Kongresin Amerikan janë edhe fondet prej 3.9 milion $ për organizatat LGBTQ për Ballkanin, dhe fondet 10 milion $ për East-West Management Institute për drejtësinë e re në Shqipëri, projekte të sponsorizuara nga Shoqëria e Hapur. Ka informacione që fondet amerikane për Palestinën janë devijuar në projektet e Soros në Shqipëri, etj. etj. Duhet investiguar në thellësi shpërdorimi i fondeve të shtetit Amerikan, kanalizimi i këtyre fondeve në favor të veprimtarisë së Soros dhe përkrahja e tij direkte për regjimin e korruptuar Rama.
Së dyti, lidhja e regjimit të Ramës me krimin e organizuar. Dhënia e hapësirës për pastrim parash me ndërtime të pafundme dhe kthimi i Shqipërisë në një platformë droge ka influencuar që lidhjet e krimit të organizuar Shqiptar të kenë hedhur rrënjë në Amerikën Latine. Mbi 14 mijë shqiptarë sot janë banorë në atë kontinent të largët dhe Shqipëria një nga vendet kryesore të hyrjes së drogës në Europë. Kjo politikë e regjimit të Ramës për kanabizimin e vendit, kthimin e Shqipërisë në një platformë të shpërndarjes së drogës nga vendet e Amerikës Latine në Europë, sigurisht prekin edhe interesat e sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. A ka veprimtari të Sinaloas në Shqipëri? Këto para që fitohen nga krimi, përfitimet në kazino apo veprimtari të tjera kriminale, a mund të përdoren për të cenuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Këto janë çështjet që amerikanët duan të provojnë, kjo është sfida e opozitës që duhet ti pasqyrojë.
Diçka është e qartë. Kavaleria pritet të vijë. Dhe mos u habisni kur të shikoni diplomatët amerikanë të vizitojnë me shpesh zyrat e shtetit shqiptar.

