Connect with us

Lifestyle

Kek Shtëpie i Mbushur me Luleshtrydhe – Shije e Mrekullueshme

Çdo ëmbëlsirë me bazë frutat është gjithnjë zgjedhja më e mirë përsa i përket shëndetit.

Me ardhjen e pranverës krijohen mundësitë e shijimit të këtyre recetave të mrekullueshme.

Sezoni i luleshtrydheve sapo erdhi dhe shijimi i tyre në çdo formë është  fantastik.

AgroWeb.org sot ju sugjeron një recetë shumë të thjeshtë dhe të ëmbël siç është keku me luleshtrydhe.

Ky është një kek i veçantë i cili mund të piqet në një tepsi të vogël ose në tigan.

Përbërësit

  • 750 gr luleshtrydhe
  • 150 gr miell
  • 133 gr gjalpë pa kripë
  • 3-4 lugë qumësht ose ujë
  • 3 lugë gjelle niseshte
  • 2 lugë çaji sheqer
  • 1 vezë
  • kripë
  • sheqer pluhur dhe vanilje sipas dëshirës

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon si fillim të përzieni miellin, sheqerin dhe pak kripë në një enë të madhe.

Më pas shtoni gjalpin dhe bashkojeni me miellin me anë të një piruni apo mikseri, derisa gjalpi të jetë kthyer në kokrriza të vogla.

Në këtë moment shtoni 2 lugë gjelle qumësht të ftohtë ose ujë tek mielli dhe filloni ta punoni në fillim me ndihmën e një piruni pastaj me duar.

Bëjeni këtë derisa i gjithë brumi të mblidhet dhe të formojë në top të vogël.

Nëse ndodh që brumi të jetë shumë i thatë mund të shtoni edhe një lugë tjetër uji ose qumueshti.

Shtypeni brumin me dorë duke i dhënë formën e një disku dhe vëreni në frigorifer për 1 orë.

Pasi t’a nxirrni nga frigoriferi lerëni të pushojë disa minuta, derisa të arrijë temperaturën e dhomës.

Ndërkohë AgroWeb.org ju këshillon të ndizni furrën në temperaturë 200 gradë.

Kur kjo të ketë ndodhur, me anë të një petësi filloni të hapni brumin në formë rrethore jo më shumë se 30 cm.

Më pas petën e krijuar vendoseni tek tava apo tigani që do ta piqni që duhet të jetë rreth  40 cm.

Siç shpjeguam edhe më lart sigurohuni që të zgjidhni një tavë rrethore dhe të thellë ose një tigan të thellë për pjekjen e kekut.

Filloni të prisni në kubikë të vegjël luleshtrydhet të cilat duhet t’i hidhni në një enë bashkë me sheqerin, niseshtenë dhe vaniljen nëse dëshironi.

Trazojini për disa sekonda dhe hidhini me kujdes në qendër të petës që keni vënë në tavë.

Sigurohuni që anët e petës së brumit të mbështjellin luleshtydhet pa i mbuluar tërësisht ato.

Më pas rrihni vezën duke i hedhur 2-3 lugë ujë ose qumësht dhe spërkateni mbi kek.

Nëse dëshironi mund t’i hidhni edhe pak sheqer sipër para se ta piqni për ta bërë kekun më krokant.

Pjekja

Futeni në furrë dhe lëreni të piqet për rreth një orë duke e kontrolluar herë pas here.

Keku është gati kur peta të ketë marrë ngjyrë të artë dhe kur mbushja të ketë filluar të nxjerrë bulëza.

Lëreni të ftohet për 30 minta para se ta shërbeni e më pas keku juaj është gati.

Mund të zgjidhni ta shërbeni duke i hedhur sheqer pluhur sipër apo pak akullore.

Advertisement