Politike
Këshilli Bashkia kundërshton kërkesën e kryetarit të tyre: Veliaj të na e dërgojë qëndrimin e tij me shkrim

Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës do të mblidhet paraditen e së martës në orën 10:00, ndërsa pritet që të futet në rend dite kërkesa për shkarkimin e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj. Burime për mediat bëjnë me dije se pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, më pas në orën 16:00 do të mblidhet Këshilli Bashkiak, ku pritet të diskutohet kërkesa për shkarkimin e Valiajt.
Ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i ka bërë një kërkesë Këshillit Bashkiak që mblidhet nesër që të jetë i pranishëm në këtë mbledhje. Veliaj ka kërkuar që para se të merret vendimi për shkarkimin e tij, të dëgjohet në mbledhje, por ende nuk dihet nëse do të lejohet. Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i është përgjigjur kërkesës së Veliajt për të qenë i pranishëm, ku i bëjnë me dije se në rast të pamundësisë për të qenë prezent fizikisht, qëndrimet e tij mund ti dorëzojë me shkrim.
“I nderuar Kryetar, Në vijim të kërkesës suaj për t’u njohur, dëgjuar, mbrojtur dhe për të dhënë sqarime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ju informojmë se mbledhja do të zhvillohet ditën e martë, më datë 23.09.2025, ora 16:00. Në rast se nuk do të jeni i pranishëm fizikisht në mbledhje, ju lutemi që observacionet tuaja t’i dorëzoni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije gjatë mbledhjes”, thuhet në shkresën e firmosur nga sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Behar Zeneli.

Ndërkohë burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë me dije se nuk është administruar asnjë kërkesë për leje të veçantë.
Në takimin e së martës, anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak pritet të bëjnë kërkesën për shkarkimin e Veliajt me arsyetimin se ka munguar për më shumë se 3 muaj në krye të detyrës, duke ju referuar pikës c, neni 62 të ligjit “për vetëqeverisjen vendore”. Në lidhje me këtë pikë Veliaj sqaron se mungesa për mbi 6 muaj nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale, për të cilën shprehet se do ta kundërshtojë në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Gjithsesi që Veliaj të marrë pjesë, më parë duhet një autorizim nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Sa i përket vendimmarrjes për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut, do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin. Nëse Këshilli e Shkarkon dhe kryeministri Rama e firmos, ai ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Sipas ligjit, në rast se Veliaj e kundërshton Ramën pranë kësaj gjykate, procesi duhet të pezullohet dhe zgjedhjet për zëvendësimin e tij, të mos zhvillohen.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.

