Connect with us

Politike

Këshilli Bashkiak shkarkoi Veliajn/ Këlliçi: Fund i pashmangshëm për një politikan të korruptuar

Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka reaguar pas vendimit të Këshillit Bashkiak për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Këlliçi shkruan se ky ishte një fund i pashmangshëm dhe i merituar për një politikan të korruptuar, në xhep dhe në shpirt.

“Sot, në Këshillin Bashkiak të Tiranës, u zhvillua seanca për shkarkimin e kreut të 5D, Erion Veliaj, tashmë prej muajsh në burg.

Ky është vetëm formalizimi i fundit i një modeli politik të degraduar, mbështjellë me propagandë dhe zhveshur nga çdo identitet.

 

 

Ky akt mbyll një proces të gjatë politik dhe ligjor. Për 44 javë me radhë, Partia Demokratike dhe opozita kanë protestuar përpara Bashkisë së Tiranës, duke faktuar hajdutërinë e pashembullt të inceneratorit fantazmë, makinerinë korruptive “5D”, si dhe krimin kundër trashëgimisë e kujtesës së qytetit, me shembjen e Teatrit Kombëtar, zhbërjen e mushkërive të gjelbra të Tiranës dhe mbi të gjitha vendosjen e një modeli fodullëku dhe përçmimi publik ndaj çdo qytetari kritik dhe jo puthadorë.

Sot Tirana merr frymë më lirë, e çliruar nga një bandit që betonizoi qytetin, shkatërroi trashëgiminë kulturore, bllokoi jetën e qytetarëve me trafikun mbytës dhe helmoi ajrin me ndotjen më të lartë në rajon.

Ky sekser i mafies, e shndërroi Bashkinë e Tiranës në lavatriçe të parave të pista.

Mbyllet kështu beteja ime kundër Erion Veliajt, por jo kundër modelit të tij, modeli më i shëmtuar dhe i korruptuar që ka prodhuar Shqipëria në 35 vitet e fundit.

Model i shtrirë në mënyrë kapilare në të gjithë qeverisjen e vendit, duke u bërë pengesë e rëndë për perspektivën e shoqërisë shqiptare, mirëqënien e qytetarëve dhe funksionimin e demokracisë, sipas parimit të të vjedhurit të parave të shqiptarëve për të vjedhur vota.

Le të jetë kjo ditë edhe fillimi i fundit për çdo politikan që mendon se mund të riprodhojë krimet e vjetra me fytyra dhe propagandë të re.

Kjo është një betejë të cilën ne e kemi provuar se mund të fitohet.

Dhe do të fitohet.

Por kjo do të kërkojë një përpjekje gjithëpërfshirëse, me të gjithë faktorët e mundshëm, me të gjithë qytetarët e këtij vendi krah nesh”, shkruan deputeti i PD Belind Këlliçi.

Vetëm kështu mund të fitojmë ndaj modelit të së keqes dhe t’i japim vendit dinjitetin e munguar!

Advertisement