Aktualitet
Kim takim me Altin Dumanin e prokurorët e SPAK: Shqipëria i përket BE-së
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët e këtij institucioni në vilën e Ryerson House.
Në një reagim në Twitter, ambasadorja Kim u shpreh se SPAK duhet të përparojë me përpjekjet për t’i dhënë fund mënyrave të vjetra të mosndëshkimit.
Ajo theksoi se SHBA mbështet fuqishëm SPAK në luftën e këtij institucioni kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ishte një nder të ftoja prokurorët e SPAK në Ryerson House. Ne shprehim falënderime dhe respekt për këta prokurorë të jashtëzakonshëm për guximin dhe profesionalizmin e tyre në përballjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë 3 viteve të fundit. Tani është koha për të intensifikuar ato përpjekje dhe për t’i dhënë fund mënyrave të vjetra të mosndëshkimit.
SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate që tregojnë se askush – sado i pasur apo i fuqishëm qoftë – nuk është mbi ligjin. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht reformën në drejtësi, përfshirë SPAK-un, sepse duam një aleat të fortë, të sigurt dhe të begatë, dhe sepse besojmë ashtu si populli shqiptar: Shqipëria i përket BE!”, shkroi ambasadorja.