Politike
Klevis Balliu: Shteti kishim kur ishte Flamur Noka ministër i Brendshëm

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, foli për zgjedhjet e ardhshme të Tiranës, si dhe analizoi politikën aktuale nga pikëpamja e tij dhe e forcës politike që ai përfaqëson.
Ashtu sikurse demokratët kanë thënë e më parë, Balliu u shpreh se në vendin tonë ka një ndikim të madh të kriminelëve. Ai tha se këtë deklaratë, e pohon dhe i deleguari i Këshillit të Evropës që mbikëqyri procesin zgjedhor të 11 majit.
“Problemi në Shqipëri është me kartelët. Këtë nuk ua them unë. Këtë e thotë kryetari i eurodeputetëve të deleguar për të vëzhguar procesin zgjedhor në Shqipëri, nga Këshilli i Evropës, edhe e tha këtë në Këshill të Evropës që në Shqipëri rotacionin nuk e lejon mafia”, tha ai.
Më tej, Balliu u shpreh se në kohën e PD-së në qeverisje, Noka, i cili ishte dhe ministër i Brendshëm, nuk ka “lejuar” që kriminelët të jenë në “qarkullim”, por i burgoste. Kështu, nga ana tjetër, demokrati akuzoi socialistët se i ka kriminelët “aleatë”, e janë pjesë e Parlamentit në siglën e PS-së.
“Këto janë të pamohueshme. Flamur Noka mund të të pëlqejë, mund të mos pëlqejë. Por, kur Flamur Noka ishte ministër i Brendshëm kriminelët shkonin në burg jo në Parlament. Ky është ndryshimi themelor i Partisë Demokratike me Partinë Socialiste. Ne kriminelët i kemi armikë, këto kriminelët i kanë aleatë”, tha ai.
Por, sipas Balliut, sa më i madh të jetë një skandal lidhur me figurën e një personi që ka detyrë publike, pasuesi i tij merr po aq shumë vota pro. Këtë, demokrati e cilësoi si një “rekord global” të Shqipërisë, teksa përmendi skandalet e Gjicit apo Xhelilit në Durrës. Duke e rikthyer vëmendjen në Tiranë, Balliu tha se e gjithë kjo bashki është në burg, e për këtë arsye, logjikisht opozita fiton.
“Nëse do të kishte një proces zgjedhor, e besoj se këtu bijmë dakord të gjithë, se është i vetmi vend dhe mund të jetë rekord global, që sa më i madh skandali të jetë në Shqipëri, aq më shumë rriten votat e atij që bëri skandalin.
Për shembull, u bë skandali i Safet Gjicit në Kukës, erdhi kolegu i vet fitoi me më shumë vota se Safeti. U bë skandali i Shukriut në Dibër, erdhi me më shumë vota kolegu i tij. U kap tani Erion Veliaj dhe e gjithë bashkia është në burg, se kanë vjedhur shqiptarët. Sot keni gjithë bashkinë në burg, e këtu thuhet a fiton dot opozita. Në cilin vend normal të botës, nuk do fitonte opozita?”, tha ai.
Edhe pse nuk dihet ende kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Balliu siguroi se asnjë demokrat nuk do i bëjë “bisht” garës.
“Asnjëri prej nesh nuk do t’i bëjë bisht garës. Ne jemi në një proces që nuk mund të shkohet duke thënë ky është kandidati im, sepse jemi e në një proces diskutimi e me faktorë të tjerë”, u shpreh ai.
Duke qenë ende në temën e Bashkisë Tiranë, Balliu u shpreh se demokratët bazohen në parimin e interesit kombëtar, e jo atë partiak. Kështu, deputeti demokrat tregoi gatishmërinë për djegien e mandatit nëse është e nevojshme për qytetarët e Tiranës.
“Kam qenë deputet e më përpara, edhe e kemi treguar se nëse është për interes kombëtar, ne e djegim mandatin”, tha ai.

