Kosova
Kongresisti amerikan për Kosovën/ Serbia satelit i Rusisë
Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht çështjes së dinarit që ka ngjallur debate, nuk kanë mik më të madh në Evropën Juglindore sesa Kosovën.
Torres, pasi është pyetur për qëndrimin e tij karshi raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së, tha se as Kosova nuk duhet të ketë mik më të madh në botë se Shtetet e Bashkuara.
“Është vendimtare që ne të vazhdojmë të mbështesim dhe të qëndrojmë me Kosovën dhe afro dy milionë njerëz që janë krenarë ta quajnë atë shtëpi e tyre” – u shpreh Torres, I cili gjithashtu pati kritika ndaj Serbisë për të cilën tha se është “një satelit në orbitën e Rusisë”.
“Kosova po bëhet gjithnje e më shume demokratike, jo më pak, ndërsa Serbia po bëhet më autokratike. Kosova është aleate e palëkundur me Perëndimin, ndërsa Serbia është në thelb një satelit në orbitën e Rusisë” -deklaroi Torres.
Në Kosovë ka hyrë në fuqi që nga 1 shkurti një rregullore e re e Bankës Qendrore të Kosovës e cila parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për kryerjen e pagesave.
SHBA-ja nga ana e saj, ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi, duke argumentuar se ai është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te komuniteti serb në Kosovë, që përdor valutën kombëtare të Serbisë. Kjo ka ngjallur edhe reagimet se po lëkunden raportet mes dy vendeve.
Më herët gjatë këtij muaji, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka deklaruar se SHBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të.
Pas kësaj deklarate të zyrtarit të lartë amerikan, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk po rrezikohet partneriteti me SHBA-në.
Por, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendimi i ndalimit të dinarit, veçse ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më herët gjatë të premtes se se çështja e ndalimit të dinarit serb në Kosovë mund të zgjidhet brenda vendit dhe se ajo nuk është dashur të shkaktonte përplasje mes Prishtinës dhe aleatëve të saj.