Kronike
Kontrata pune për serbët e Kosovës

Serbët e veriut të Kosovës, të cilët kanë braktisur institucionet e Kosovës, vazhdojnë të nënshkruajnë kontratat e ofruara nga shteti i Serbisë.
Në këto kontrata theksohet se punëtori merr përsipër të kryejë punën për Organin e përkohshëm dhe Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, për mbështetje të komunitetit serb në veri të Kosovës.
Në kontratën thuhet se punëtori do t’i kryejë ato në përputhje me urdhrin dhe nevojën e treguar. Megjithatë, nuk specifikohet se cilat punë do të jenë ato.
Gjithashtu nuk ka pasur sqarime se çfarë do të thotë kontratë për angazhim të posaçëm pune, duke pasur parasysh se një kontratë e tillë nuk ekziston në Ligjin e punës në Serbi.
Në këtë kontratë nuk përfshihet e drejta për pushime vjetore apo pushimit mjekësor, por lidhet me qëllimin e kryerjes së punës që janë jashtë veprimtarisë së punëdhënësit.
Nënshkrimi i kontratës nënkupton që nënshkruesi do të marrë pagën për muajin nëntor në sistemin e Serbisë, në kuadër të institucioneve paralele – Organeve të përkohshëm të katër komunave në veri të Kosovës.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, njoftoi më 9 nëntor, se serbët që kanë braktisur institucionet e Kosovës, do të punësohen në organet shtetërore të Serbisë.
“Asnjë nga ata 3.500 njerëz nuk do të jetë në rrugë. Ne do të kujdesemi për të gjithë”, tha Vuçiç.

