Connect with us

Politike

Kontrollet në banesa dhe biznese/ Gjykata e Lartë shtyn vendimin mbi rekursin e Ajola Xoxës

 Gjykata e lartë ka shtyrë vendimin mbi rekursin e paraqitur nga Arbër Veliaj (vëllai i Erion Veliajt) dhe Ajola Xoxa (bashkëshortja e Erion Veliajt), të cilët kundërshtojnë kontrollet e ushtruara me vendim të GJKKO dhe kërkesë të SPAK në banesat dhe bizneset e tyre në 6 dhjetor 2024.

Sipas Gjykatës së Lartë, një prej 3 gjyqtarëve të caktuar në trupë, ka kërkuar largimin nga çështja për shkaqe papajtueshmërie. Ilir Panda relator dhe Albana Boksi e Medi Bici anëtarë, ishin trupa që duhej të shqyrtonin rekursin në Dhomë Këshillimi të enjten më 6 mars, por kjo u shty për në një datë tjetër.

Masa e sigurisë dhe akuzat ndaj Ajola Xoxës

Ajola Xoxa është lënë në masën “detyrim paraqitje” lidhur me dosjen “Veliaj” ku rezultonte se Xoxa ishte e përfshirë në skema abuzimesh me fondet publike. Sipas SPAK, Veliaj edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Xoxa kanë ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal dhe familjar përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

Prokuroria e Posaçme e akuzon Xoxën për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.Fillimisht ndaj saj u vendos masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa pas seancës së vlerësimit të masës, GJKKO vendosi “detyrim paraqitje”.

Advertisement