Connect with us

Kosova

‘Korniza e re’/ Kosova njihet shtet, Serbia tejngopet me ndihma

Në vitin 2023 nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Beogradi njeh realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në afatin kohor prej 10 vitesh Serbia- dhe Kosova arrijnë marrëveshjen e njohjes së ndërsjelltë.

Bashkimi Europian zgjerohet me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas një mediumi, ky është plani i paraqitur në ‘Kornizën e Re’ sekret të marrëveshjes së përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz. Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet e BE që akoma nuk e kanë njohur, kurse Serbia do të përfitojë ndihma masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Dokumenti prej katër faqesh, i cili shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.  Në pikën 1 të kornizës thuhet se “Serbia nuk do t’i bashkohet BE-së pa një normalizim komplet të raporteve politike, legale dhe diplomatike me Kosovën”, por gjithashtu saktësohet se “Tani për tani, në vend të njohjes, Serbia duhet ta pranojë realitetin e Kosovës si një realitet i veçantë politik dhe legal”.

Në pikën 3 të Kornizës së Re, ‘Serbia do të marrë një pozicion pasiv dhe nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

Sipas propozimit, në fazën e parë “Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”. Në të dytën vjen “Anëtarësimi në Interpol dhe UNESCO”. Në fazën e tretë ‘Kosova fillojn bisedimet për pranim në NATO, dhe në fund, vjen “Anëtarësimi në OKB”.

Dokumenti gjithashtu parasheh rastin që Serbia nuk bie dakort me Kornizën. Ajo ‘izolohet ekonomikisht dhe financiarisht ‘ dhe  “Pesë shtetet jo njohëse të Kosovës do ta braktisin eventualisht Serbinë dhe do t’u bashkohen shteteve të tjera që e kanë njohur atë”

“Pavarësisht rezultatit, BE-ja do të flas me një zë” – thuhet në dokument.

Pas zhvillimeve në Ukrainë, çështja e unitetit të BE-së, karshi Kosovës dhe Serbisë, është kthyer në thembrën e Akilit për vetë BE-në, prandaj Franca dhe Gjermania janë të vendosura të demonstrojnë praktikisht, politikisht dhe legalisht, unitetit europian.

Dokumenti, siç sqarohet në fillim, është një makro perspektivë, e hartuar si draft shpjegues i dinamikave kyçe, dhe nuk merret me elemente specifike dhe as me marrëveshjet një nga një të arritura deri tani në Bruksel.

Por nga ajo cfare është pare deri tani, BE dhe diplomatë të tjerë perëndimorë duan që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara të implementohen, përfshirë ‘Asociacionin e Komunave me Shimicë Serbe’, gjë të cilën e kundërshton qeveria e Kosovës, gjë e cila do të siguronte një shkallë më të lartë autonomie për serbët e Kosovës. Dhe teksa ndjeshmëria për këtë çështje është tejet e lartë, diskutimet për të do të zhvendosen në kohë, atëherë kur perspektiva evropiane për Serbinë dhe Kosovën të bëhet e prekshme.

 

Advertisement