Connect with us

Kosova

Kosova aplikoi në BE, Spanja: Do votojmë kundër

Nënshkrimi i Kosovës për aplikimin e anëtarësimit në BE, është refuzuar sërish nga Spanja duke u kthyer në hallkën penguese të rrugëtimit të Kosovës drejt Evropës. Përfaqësuesi i Spanjës, Pascual Navarro, gjatë paraqitjes së tij para Komisionit të Përbashkët për BE ka thënë se Spanja nuk e njeh Kosovën dhe prandaj do të votojë kundër çdo veprimi procedural.

”Spanja nuk e njeh Kosovën, prandaj do të votojë kundër çdo vendimi procedural dhe dhënies së statusit kandidat të Kosovës”.

Më tej, ai shtoi që të kërkohet mendimi i Komisionit Evropian dhe më pas të debatohet për këtë çështje në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme dhe në fund të vendosin liderët evropianë në Këshillin Evropian, raporton Klan Kosova.

“Qeveria nuk do të mbështesë kandidaturën në rrethanat aktuale dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar”, theksoi Sekretari i Shtetit të Spanjës për Bashkim Europian.

Kosova nënshkroi më 14 dhjetor aplikimin për anëtarësimin në BE. Duke e cilësuar si një ditë historike kryeministri Kurti, dorëzoi më 15 dhjetor kërkesën e tij në Pragë. Kjo datë përkoi me atë që kërkesën nga ana e Serbisë për dërgimin e 1 mijë trupave në Kosovë.

Spanja është një nga pesë vendet e BE-së, së bashku me Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë, që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Advertisement