Kosova
Kosova ende e paaftë ta kuptojë energjinë si element qendror të sigurisë kombëtare
Analisti politik Agon Maliqi, teksa ka komentuar paralajmërimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin në listën e sanksioneve Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), ka vlerësuar se Kosova është ende e paaftë për ta kuptuar energjinë si element qendror të sigurisë kombëtare dhe për t’i vlerësuar dimensionet e saja gjeopolitike dhe në vlerësimin e tij, kjo manovër e SHBA-ve po vjen disa ditë pasi me insistimin e tyre u miratua projekti i gazsjellësit të ri në Bosnje dhe Hercegovinë drejt Kroacisë, i cili do t’ia heq këtij shteti varësinë e furnizimit nga Rusia dhe Serbia.
“Kosova ndërkohë edhe pas kaq shumë vitesh mbetet e varur nga termocentralet e vjetra ngulfatëse dhe nga mafia energjetike e rajonit, e paaftë për ta kuptuar energjinë si element qendror të sigurisë kombëtare dhe për t’i vlerësuar dimensionet e saja gjeopolitike”, ka shkruar Maliqi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se SHBA-të do të vendosin sanksione “brenda pak ditësh” ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak se kompanitë ruse gëzojnë shumicën e aksioneve të saj ndonëse Uashingtoni nuk ka konfirmuar ende diçka të tillë.
Pronarja kryesore e kesaj industrie është kompania ruse Gazprom Neft që zotëron 50 për qind të aksioneve, pastaj shteti i Serbisë me 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom ka 6.15 për qind të aksioneve.
Serbia është e varur kryesisht nga Rusia në sektorin energjetik dhe Gazprom është furnizuesi i vetëm i gazit në Serbi dhe pronari i shumicës së të dy tubacioneve të gazit që dërgojnë gaz nga Rusia për familjet dhe industrinë në Serbi.