Connect with us

Shkrime

Kosova/ Enver Bytyçi vjen me paralajmërimin e fuqishëm

Së fundi, Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, alarmoi se rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen përreth kufirit me Kosovën, teksa shtoi se nevojitet vetëm një urdhër i presidentit serb, Aleksandër Vuçic, që ata të nisin sulme agresive.

E për këtë çështje ka folur edhe profesori Enver Bytyçi.

Sipas tij, është e vërtetë që Serbia po trajnon ekstremistë serbë për të sulmuar Kosovën, por që numri i tyre është më shumë se 400.

“Nuk trajnon Serbia kundër Kosovës kaq pak ekstremistë. Shteti, ushtria, policia dhe forcat speciale të Serbisë trajnojnë me mijëra ekstremistë e terroristë. Të gjithë këta përgatiten si kontigjent për të sulmuar vendet fqinjë, respektivisht tani Kosovën”, deklaroi profesori, teksa edhe komentoi vizitën e Albin Kurtit në veri.

“Kurti  shkoi atje për të dëshmuar se tashmë ky territor administrohet nga ana e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Dhe është fakt se kryeministri dhe autoritetet e tjera të vendit, veçmas policia, e kanë ndryshuar situatën në komunat e veriut ne favor të plotë të prezencës së institucioneve të vendit” – argumentoi Bytyçi

Por çfarë thanë autoritetet e Beogradit?

Petkoviç, si një politikan që përfaqëson Serbinë në bisedimet e Brukselit, e konsideroi vizitën e Kurtit si shkelje të sovranitetit të Serbisë në veri të Kosovës. Kjo do të thotë se Kurtin ai nuk e njeh për kryeministër të këtij territori. Kjo do të thotë se presidenti i Serbisë dhe qeveria e tij nuk pranojnë që veriu i Kosovës të qeveriset nga qeveria e Kosovës.

“Edhe Lista Srpska bëri të njëjtën deklaratë, duke e konsideruar kryeministrin e Kosovës si të huaj për pjesën veriore të territorit të Kosovës.

Që do të thotë se Beogradi dhe krerët politikë të serbëve të Kosovës e shohin së paku veriun e Kosovës si territor serb. Deklaratat kundër vizitës së zotit Kurti në veri të Kosovës janë paralajmërim i qartë dhe i kthjellët për akte terroriste dhe sulme të ekstremistëve dhe terroristëve serbë”- nënvizoi profesori i njohur, sipas te cilit, trajnimet e terroristëve serbë po bëhet me ndihmën e Rusisë dhe shërbimet sekrete.

“Mund të them me siguri të plotë se trajnimi i ekstremistëve serbë në territorin e Serbisë për t’i përdorur kundër sovranitetit të Kosovës bëhet në bashkëpunim me qendrën e trajnimit të ushtarakëve dhe spiunëve rusë të ngritur në Nish. Ka vite që kjo qendër funksionon dhe ndërkombëtarët nuk kanë kërkuar mbylljen e saj, as pasi Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën. Në Nish gjenden qindra instruktorë rusë të shërbimit sekret dhe përgatitjes së forcave elitë, të gatshme për agresion kundër Kosovës dhe vendeve të tjera fqinjë të Serbisë” – deklaroi Bytyçi.

Më tej, ai tha se pas konfiskimit të pronave të Milan Radoiçiçit, atëherë mund ketë akte terroriste të mercenarëve të tij dhe paralajmëroi se mund të ketë akte terrorizmi për të mos lejuar që të mbahen zgjedhjet në komunat veriore…….

“A do ia arrinë qëllimit? Unë besoj shumë te qeveria, presidentja, sidomos te policia dhe forcat e armatosura të Kosovës. Unë i besoj Vjosa Osmanit kur thotë se Kosova do mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të saj. Megjithatë, duhet kujdes. Më 21 prill do të bëhen zgjedhjet në komunat e veriut. Beogradi nuk është i interesuar të bëhen këto zgjedhje, sepse e shohin si kohë të disfavorshme për ta. Prandaj dhe ka mundësi që të organizohet ndonjë agresion provokativ përmes terrorizmit serb. Për këto arsye qeveria nuk duhet të flejë. As policia e forcat e armatosura. Duhen forcuar skalionet e ruajtjes së stabilitetit në veri. Nuk duhen dobësuar ato” – potencoi Enver Bytyçi

Advertisement