Kronike
KOSOVA GATI TE HEQ REGJIMIN E VIZAVE
Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill një dokument të detajuar teknik ku konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë dokument, i cili do të jetë edhe bazë për diskutimin në grupin punues për vizat në Këshill më 13 tetor në Bruksel. Ai është dërguar si një rifreskim i të dhënave për të informuar vendet anëtare të BE-së dhe nuk është raport formal për implementimin e udhërrëfyesit pasi një raport i tillë ishte bërë më herët dhe nuk ka nevojë për një tjetër.
Në këtë dokument, të dërguar si non-paper, thuhet se: “Kosova ka vendosur një kornizë të fuqishme ligjore dhe operacionale për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’u përballur me rreziqet e sigurisë dhe ato nga migracioni. Kjo ishte konfirmuar edhe përmes raporteve vjetore të Komisionit në kuadër të paketës së zgjerimit.
Në të njëjtin dokument konfirmohet se Kosova ka vazhduar të konsolidojë progresin në fushat kyçe të identifikuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
“Si rrjedhojë, baza për rekomandimin e Komisionit nga viti 2018 për të përjashtuar shtetasit e Kosovës nga kërkesa për viza për qëndrim të shkurtër, mbetet tërësisht e vlefshme”, konkludohet në fund të këtij raporti.
Sipas ekspertëve të Komisionit Evropian, Kosova në vitet e fundit ka forcuar kornizën ligjore dhe institucionale në fushat si siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve dhe migracionit, rendit publik dhe sigurisë, të drejtat themelore të lidhura me lirinë e lëvizjes, duke i afruar ato me standardet e BE-së.
Komisioni Evropian konstaton trend pozitiv edhe në numrin e refuzimit të dhënies së vizave për qytetarët e Kosovës nga vendet e BE-së, si dhe rënien e numrit të azilkërkuesve të rrejshëm.
Të gjitha këto të dhëna që janë përmendur në dokumentin që e ka dërguar Komisioni Evropian, do të shërbejnë për Këshillin e BE-së, i cili më 13 tetor nis procedurën që ka për qëllim finalizimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
https://www.youtube.com/watch?v=rG7PP8UD9Po