Connect with us

Shkrime

Kosovë pa Albinin ka, pa Amerikën jo!

Nga Skënder Minxhozi

Në fakt nuk do të duhej të kishte një raport përjashtues mes një kryeministri të zgjedhur me votat e qytetarëve kosovarë dhe garantit më të madh të vetë egzistencës së Kosovës shtet të pavarur, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ja që edhe kjo përzirje e çuditshme, që konceptohej si e pamundur, mund të egzistojë në teatrin absurd të ngjarjeve të fundit mbi lumin Ibër. Ja që mund të ndodhë edhe ky aberracion gjeo-strategjik, kur vetë kryeministri i Kosovës i quan zyrtarët më të lartë amerikanë “naivë” dhe kur artikulon qetë dhe hapur idenë se shteti i tij mund t’ja dalë përballë Serbisë edhe pa ndihmën e ushtarëve të vendeve perëndimore! Paçka se është po ky kryeministër që në harkun e pak orëve e kthen pllakën, e fillon t’i lutet kujtdo në Perëndim që të thotë një fjalë për policët kosovarë të rrëmbyer nga serbët! Në harkun e pak orëve Kosova po e provon konkretisht dhe në “lëkurën” e saj se sa sfidues dhe i komplikuar është sovraniteti e pavarësia ëndërrimtare e jashtë çdo lloj logjike, që kryeministri Albin Kurti po kërkon të arrijë, edhe prej perëndimorëve që e krijuan shtetin kosovar. I ka shpërfilluar ata duke mos ju dëgjuar thirrjet e përsëritura për paqe e dialog, ka heshtur kur dhjetra ushtarë të KFOR janë plagosur në emër të mbajtes me dhunë nëpër zyra të kryekomunarëve të tij, ka predikuar një Kosovë që papritmas duhet të jetë e baraslarguar nga të gjithë. Nga serbët po e po, por edhe nga ata që e themeluan me forcën e armëve në 1999.

Sovraniteti foshnjor që Albin Kurti kërkon sot prej Perëndimit i ka dhëmbët prej qumështi. Sepse një përplasje shfaqet në horizont në Veri a diku tjetër dhe menjëherë nisin thirrjet për ndihmë të qeverisë në Prishtinë.

Ajo që po ndodh me krizën e komunave po afirmon edhe një herë një koncept sa të thjeshtë aq edhe egzistencial për shtetin më të ri të Evropës: Kosovë pa Amerikën nuk ka! Ndërsa pa kryeministrin e radhës padyshim që ka e do të ketë. Aq e vërtetë është kjo saqë mjafton të shohësh sesi gjenerata e luftës gjendet sot para gjyqit, e megjithatë shteti vazhdon të egzistojë sepse mbrohet me bazat ushtarake e armët e Perëndimit. Kaq i thjeshtë është edhe naiviteti i hallakatjes së qeverisë aktuale në Prishtinë nëpër kallamishtet e sovranitetit të plotë dhe të pakushtëzuar.

Advertisement