Connect with us

Kosova

Kostituimi i kuvendit/ Përpjekja e 19-të në Kosovë

Më 21 maj, tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, deputetët e legjislaturës së nëntë për të 19-tën herë me radhë do të bëjnë përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në mungesë të një marrëveshjeje midis partive politike për zhbllokimin e ngërçit, karrigia e kryetarit të Kuvendit të Kosovës vazhdon të jetë vakant. Albulena Haxhiu, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryekuvendare po dështon t’i marrë votat e nevojshme.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari – deputeti më i moshuar i legjislaturës së nëntë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – po insiston që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës të bëhet përmes votimit të fshehtë.

Dehari po tenton ta ndryshojë formën e votimit pas disa përpjekjeve të dështuara për të votuar Haxhiu, për kryetare të Kuvendit të Kosovës me votim të hapur.

Megjithatë ky tentim i tij po hasë me kundërshtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listës Serbe, të cilat po refuzojnë që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Të enjten e 15 majit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takoi liderët e partive politike me qëllim zhbllokimin e situatë aktuale politike në vend.

Megjithatë takimi nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret.

Në një konferencë për media, Osmani tha se i ka inkurajuar liderët e partive politike “të gjejnë zgjidhej të përbashkët për konstituimin e Kuvendit”.

Megjithatë, sipas saj, liderët e partive politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme në takimin e sotëm me të.

Ajo vlerësoi se ka “disponim minimal” për zgjidhje të ngërçit politik.

“Ekziston një disponim minimal, që jam e bindur se do të rritet me kalimin e kohës. Dialogu politik, konstruktiv, është i domosdoshëm”, ka thënë ajo.

Osmani ndër të tjera tha se është e gatshme të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese punën e moskonstituimit të Kuvendi të Kosovës.

Advertisement