Connect with us

Bota

Kremlini lufton për të shpëtuar imazhin e Putinit pas rebelimit

Rusia përjetoi kërcënimin më serioz ndaj shtetit në dekada kur grupi mercenar Wagner u rebelua dhe udhëheqësi i saj kërcënoi të sulmonte Moskën dhe të largonte nga pushteti Presidentin Vladimir Putin. Episodi zgjati më pak se 24 orë, por la pikëpyetje të mëdha për drejtimin e operacioneve të Rusisë në Ukrainë dhe për të ardhmen politike të Putinit. Trupat mercenare të Wagner-it pushtuan qytetin jugor rus të Rostov-mbi-Donit të shtunën për rreth 12 orë, duke hasur pak rezistencë ndërsa pushtuan selinë ushtarake lokale. Tani, pas një marrëveshjeje me Kremlinin, ata do të kthehen në bazat e tyre në territorin që Rusia pushtoi në Ukrainë me premtimin se ndaj tyre nuk do të ketë hakmarrje. Udhëheqësi i grupit, Yevgueni Prigozhin, u largua për në Bjellorusi nën kujdesin e Presidentit Alexander Lukashenko, një aleat i Putinit. Kryengritja e Wagner-it kërcënoi kryeqytetin rus dhe solli reagime të ashpra nga Putini kundër autorëve të saj në një fjalim drejtuar kombit.

“Po përballemi me tradhti të brendshme. Ambiciet e jashtëzakonshme dhe interesat personale çuan në tradhti. Tradhti ndaj vendit dhe popullit të tyre. Luftëtarët e Wagner-it po vdisnin përkrah ushtarëve tanë”.

Zyrtarët rusë kanë vërshuar në media për të propaganduar se Putini doli më i fortë nga kjo krizë e shkurtër. Por vëzhguesit ndërkombëtarë thonë të kundërtën, se dobësitë e udhëheqësit rus janë ekspozuar në mënyrë të pariparueshme.

“Kjo rrëzoiimitin që Putini e kishte kultivuar aq shumë, për të qenë plotësisht në kontroll dhe për të pasur një kontroll të fortë të pushtetit në të gjithë vendin. Është e qartë se nuk është më kështu. Incidenti i Prigozhinit krijon një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për pushtetin në Rusi. Sapo të tjerët të shohin se kjo mund të bëhet dhe mund t’i mbijetosh, do të ketë sfida të tjera”, thotë Keir Giles me organizatën Chatham House.Tani autoritetet ruse po punojnë për të mbuluar gjurmët e grupit Wagner, i cili deri javën e kaluar vlerësohej nga propaganda e Kremlinit.

Prigozhini ka sfiduar Moskën, duke folur për situatën e pasigurt të ushtrisë ruse në Ukrainë — një nga arsyet që ai thotë se e bënë të fillonte rebelimin.

“Ne humbasim deri në 1000 persona në ditë. Këtu përfshihen të vrarët, të zhdukurit dhe të plagosurit dhe ata që refuzojnë – që nuk duan të luftojnë: jo sepse janë frikacakë, por sepse nuk kanë zgjidhje, nuk kanë furnizime me armë, nuk kanë strukturë komanduese”.

Sekretari i Jashtëm britanik James Cleverly vuri në dukje se Prigozhini kishte vënë në dyshim justifikimin e Putinit për pushtimin e Ukrainës.

“Gënjeshtrat e qeverisë ruse janë ekspozuar nga një prej krerëve të vetë Presidentit Putin”.

Vëzhguesit besojnë se çfarëdo marrëveshje që Putini ka bërë me Prigozhinin, udhëheqësin mercenar e pret një e ardhme e errët.

“Çfarëdo që të ndodhë, për pjesën tjetër të jetës së tij ai duhet të jetë tepër i kujdesshëm, sepse tani është “një njeri i shënjestruar”. Ai ka sfiduar pushtetin në Rusi dhe deri më tani ka mbijetuar. Pyetja është për sa kohë?”, thotë Keir Giles.

Qetësia është rikthyer, të paktën për momentin, në rrugët e Rusisë, por pas krizës akute fundjavën e kaluar, analistët thonë se ngjarjet e ditëve të fundit mund të jenë një pararendës i diçkaje më të madhe.

Advertisement