Connect with us

Pinknews

“Ku është se do ta vras?!” Reagon për herë të parë pronari i Onima: Nuk i detyrohemi asnje cent

Pas arrestimit të këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, ka reaguar për herë të parë publikisht pronari i kompanisë Onima, Erkand Shabani, duke dhënë versionin e tij mbi incidentin e ndodhur në ambientet e kompanisë.

Përmes një reagimi të publikuar në Instagram, Shabani shpjegoi arsyen pse kishte zgjedhur të mos fliste më herët. Sipas tij, heshtja kishte qenë e qëllimshme deri në momentin kur, siç shprehet, situata u shoqërua me një “fushatë të gjerë mashtrimesh publike”, që e detyroi të sqarojë publikisht qëndrimin e tij.

Në deklaratën e bërë, drejtuesi i Onima e përshkruan ngjarjen si një akt të qartë kriminal të ndodhur brenda zyrave të kompanisë. Ai thekson se incidenti ka shkaktuar jo vetëm dëme materiale, por edhe pasoja psikologjike për stafin që ndodhej në vendin e ngjarjes.

Shabani shtoi gjithashtu se, sipas tij, vetë autori i ngjarjes ka pranuar përgjegjësinë përpara organeve të drejtësisë. Ai deklaroi se gjatë seancës së fundit gjyqësore, Gjesti ka kërkuar falje ndaj palëve të dëmtuara. Pikërisht për shkak se çështja tashmë është në shqyrtim nga gjykata, Shabani tha se fillimisht kishte preferuar të ruante heshtjen publike.

Megjithatë, ai bëri të ditur se javën e ardhshme do të organizojë një konferencë për shtyp, ku pritet të publikohen detaje të reja mbi ngjarjen.

Sipas paralajmërimit të tij, gjatë kësaj konference do të shfaqen edhe videot e asaj që ai e përshkruan si “sulme tronditëse” nga ana e Gjestit. Po ashtu, Shabani tha se do të publikohen edhe raportet financiare të kompanisë për të provuar, sipas tij, se Onima nuk i ka asnjë detyrim financiar artistit, duke iu përgjigjur pretendimeve që mund të jenë përhapur në publik me fjalinë: Kompania nuk i detyrohet asnjë cent!

Reperi ka deklaruar më parë në gjykatë se kishte humbur të gjitha të ardhurat e tij.

Ndërkohë, reperi ndodhet aktualisht në paraburgim për 30 ditë në lidhje me incidentin.

Advertisement