Connect with us

Kosova

“Kujdes i SHBA-së për…”/ Ja si e cilëson Kurti vizitën e shefit të CIA’s

Sot një javë shefi i CIA’s, William Burns, erdhi në rajon për të ateruar fillimisht në Sarajevë, më pas në Beograd, ndërsa në Prishtinë qëndroi dy ditë. Arsyeja e vizitës u komentua gjatë në opinionin publik se çka ka mundur ta sillte shefin e inteligjencës më të fuqishme në botë në tri kryeqytetet ballkanike. Disa shenja sot i nxori kryeministri kosovar, Albin Kurti.

Për herë të parë para mediave sot është deklaruar kryeministri Albin Kurti për takimin e rëndësishëm që pati me drejtorin e CIA’s. Për takimin ai tha se “ka shkuar mirë” dhe nuk zbuloi fort nga përmbajtja. Por, ai bëri me dije se ardhja e tij nënkupton përkushtimin e SHBA-së për “sigurinë edhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi” dhe kujdesin ndaj Kosovës.

“Takimi ka shkuar shumë mirë dhe natyrisht që ne kemi bashkëpunim me SHBA-në dhe me këtë institucion tejet të rëndësishëm të inteligjencës dhe sigurisë, para së gjithash nëpërmjet Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Kjo është një dëshmi tjetër e përkushtimit dhe kujdesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë edhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Republikën tonë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me SHBA-në dhe të paqes, stabilitetit e sigurisë rajonale të Ballkanit Perëndimor”, tha sot Kurti.

Ardhja e Burns në rajon nga disa, por edhe nga liderët me të cilët u takua, u pa si shenjë që Washingtoni nuk e harron Ballkanin Perëndimor.

Por, krejt ndryshe e pa profesori amerikan, Edward Joseph.

Ai e përshkroi vizitën e Burns me një fjalë – “fatkeqe”.  Profesori amerikan thotë se s’mund të shihet vizita e tij si e Bill apo Hillary Clinton.

“Kjo nuk është diçka e mirë, sepse William Burns për momentin është mjaft i përfshirë në negociata shumë serioze për ndaljen e luftimeve në mes të Izraelit dhe Hamasit. Ky është prioriteti kryesor për momentin për administratën e SHBA-së. Ai vjen sepse Washingtoni i sheh këto si pika vështirësish, problemesh dhe kjo nuk është një vizitë e lumtur”, ka thënë ai për mediumin publik.

“Është një vizitë fatkeqe dhe një sinjal i brengës në Uashington lidhur me tensionet dhe potencialin e një lloj konfrontimi në Ballkan dhe ky do të ishte sqarimi më i mirë se pse William Burns në një kohë kaq të rëndësishme vjen në vendet e Ballkanit. Burns ndoshta ka informata dhe do të flasë ndoshta për kërcënime potenciale sigurie në rajon. Disa nga ato mund të jenë nga Rusia”.

Për më tepër, mesazhet që mund t’ia ketë dhënë Burns kryeministrit të Kosovës mund të jenë ato që veçse i ka përcjellë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, sipas Josephit.

“Nëse e shikoni fotografitë e takimit mund të shihni që pranë Burns në anën e djathtë të tij është i ulur ambasadori Hovenier dhe nëse e shikoni në fotografi e shihni ambasadorin që merr shënime. Pra, ne mund të supozojmë që drejtori i CIA’s, Burns, ishte duke transmetuar mesazhet që duhet të ishin konsistente me ato që ka transmetuar ambasadori Hovenier sepse e shihni në fotografi, e shihni Burns e shihni Kurtin dhe pastaj në krahun e djathtë të Burns e shihni ambasadorin Hovenier”.

Vetë Kurti në njoftimin e tij në Facebook takimin me Burns e konsideroi historike, ndërsa për temat e diskutuara tha se ishin “një gamë e gjerë”.

“Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duam t’i forcojmë e zgjerojmë edhe më tej. Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”.

Kryeministri tha se i ka folur shefit të CIA’s edhe për progresin në Kosovë dhe për menaxhimin e “sfidave të brendshme” të sigurisë.

“Kosova është shembull suksesi i demokracisë zhvillimore, ku anti-korrupsioni është bërë rritje ekonomike kurse qeverisja e mirë është bërë mirëqenie shoqërore. E njoftova z. Burns me progresin e vendit tonë, të cilin e ruajmë dhe mbrojmë teksa e ngrisim më tej dhe shtojmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik. Në tri vitet e fundit, gjersa Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% e buxheti shtetëror për 35%, për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, i kemi dedikuar 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor. Çlirimi e pavarësia e vendit tonë, mbështetja e përhershme amerikane në aq shumë fusha, ishin e janë gjë e drejtë dhe e duhur që ia ka vlejtur fort për të gjithë”.

Pas gjithë deklaratave të ambasadorit Hovenier për dëmtim të raporteve të Qeverisë Kurti me qeverinë amerikane, Kurti në fund tha se i është zotuar për përkushtim “e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”.

“E falënderoj Drejtorin e CIA-s, William Burns, për mbështetjen e vazhdueshme dhe këtë vizitë historike në vendin tonë”.

Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës pati thënë se dallimet e tij me administratën amerikane qëndrojnë te taktikat e strategjitë dhe jo te parimet.

Më e shkurt se Kurti ishte presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në zyrën e së cilës shkoi fillimisht ambasadori Burns.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns”.

Advertisement