Connect with us

Aktualitet

Kundër lirimit të hapësirave publike/ Theu xhamat e Bashkisë së Korçës, kush është “Çekiçi 14”?

Një ngjarje e pazakontë u regjistrua mbrëmjen e djeshme në Korçë, ku një i ri ka thyer xhamat e Bashkisë në shenjë revolte kundër aksionit të ndërmarrë për lirmin e hapësirave publike me urdhër të kryeministrit Edi Rama. I riu, i identifikuar si Kostandin Dramolli, mësohet se ka qenë ish-portier i Skënderbeut. Gjatë karrierës së tij futbollistike, 26-vjeçari, përveç klubit korçar, ku u shpall kampion me skuadrën U-19 të Skënderbeut, ka qenë edhe pjesë e Bylisit, Pogradecit, skuadrës greke Pierikos dhe së fundmi Maliqit. Ish-portieri rezulton edhe më parë i dënuar nga gjykata me burg, teksa hoqi dorë nga futbolli për t’u fokusuar te muzika rep, duke vendosur emrin e artit Çekiçi 14.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e djeshme, ishte vetë 26-vjeçari ai që filmoi gjithë aktin “live” në rrjetet e tij sociale.  Në pamjet e publikuara në TikTok, teksa ofendon kryeministrin, i riu i inatosur për prishjet e strukturave në hapësirat publike në lagjen nr. 14 të qytetit, aty ku ai banon shihet teksa gjuan me gurë drejt godinës së Bashkisë.

“Edi Rama është sjellë keq me ne. Si vjen Edi Rama ma prish lagjen mua çfarë ka ai…”-dëgjohet teksa i drejtohet punonjësit të Bashkisë.

Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur pothuajse në të gjithë vendin me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Fenomeni “tokë e xanun”, sipas Ramës, nuk do të ekzistojnë më. Lidhur me këtë, ai ka bërë thirrje për të gjitha bizneset apo individët të cilët kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat publike, t’i lirojnë menjëherë. Sakaq, kryeministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin kushdo që e kundërshton aksionin.

Advertisement