Connect with us

Shkrime

Kur Çezari fshihet pas Zotit

Alfred Lela

Sa herë Shqipëria përballet me Natyrën – apo me ato që quhen “akte të Zotit” – ajo humbet. Dhe kjo ndodh pavarësisht se ku qëndron politikisht: je me qeverinë apo kundër saj. Pikërisht këtu vlen parimi biblik: “Jepi Çezarit çfarë i takon Çezarit dhe Zotit çfarë i takon Zotit.” Ky është metri më i drejtë për të ndarë përgjegjësitë për kataklizmën ujore ku është zhytur vendi.

Pra: të dallojmë se ku mbaron fuqia e Natyrës, përballë së cilës njeriu ka kufijtë e vet, dhe ku fillojnë mungesat, neglizhenca dhe paaftësia e Çezarit.
Në rastin tonë, Çezari është njeriu në krye të pushtetit ekzekutiv: Edi Rama.

Duke nisur nga fundi, mjafton të shohësh përmbytjet e këtyre ditëve dhe reagimin e Kryeministrit për të kuptuar se, kemi të bëjmë ose me një njeri që i është djegur siguresa, ose me dikë që jeton në një realitet paralel, ose me një pushtetar që thjesht nuk i ha më për asgjë – atë tipologjinë tiranase të të pacipit: s’kam turp, s’ke ç’më bën.

Qëndrimi publik i Kryeministrit, qoftë ndaj Natyrës, qoftë ndaj njerëzve me ujë deri në gjoks bashkë me shtëpitë e tyre, qoftë ndaj kritikëve dhe opozitës, përmblidhet në një formulë primitive: “Fajin e ka Zoti. Fajin e kanë njerëzit. Fajin e ka opozita.”

Asnjë grimë vetëreflektimi. Asnjë fije përgjegjësie. Asnjë shenjë vetëkritike.

Në kufijtë e absurditetit logjik qëndron ky rast. Për të ilustruar pafajësinë e vet, Rama ka zakon të krahasohet me vende të tjera: “këto ndodhin edhe në botë”. Dje, në një moment andreatian – më fajësojnë edhe për Luftërat Punike – u shpreh se nuk e kupton pse nuk e bëjnë përgjegjës edhe për përmbytjet në Itali apo Mal të Zi. Pra, edhe atje ka përmbytje.

Po, por: Së pari, ti je Kryeministër i Shqipërisë.
Së dyti, qytetari kërkon të dijë çfarë ndodh rreth tij, aty ku jeton, aty ku preket familja, lagjja, qyteti dhe shteti i tij. Prandaj lajmet nga bota vijnë në fund të edicioneve të lajmeve, përveç rasteve spektakolare me impakt global.
Së treti, sepse taksapaguesi kërkon kthimin e taksës pikërisht në ditë të tilla. Për këtë i paguan taksat çdo ditë. Ky është thelbi i marrëdhënies demokratike qeveri–qytetar: shërbime në këmbim të taksave.

Së katërti, askush nuk e fajëson ‘Çezarin’ pse nuk i ndal reshjet. Qytetarët reagojnë ndaj mungesës së dorës së ‘Çezarit’ mbi shpatullën e të prekurve: ndaj mungesës së mjeteve për të luftuar zjarret, për të shpëtuar të bllokuarit nën rrënoja, për të kompensuar dëmet nga përmbytjet.

Sepse njerëzit shohin dhe dëgjojnë. Shohin Kryeministrin që flet për satelitë, dronë, inteligjencë artificiale, projekte qindra milionëshe për survejim total. Dhe me të drejtë pyesin:
pse këto para nuk përdoren për siguri reale, për mjete emergjence, për një shtet që nuk fik zjarrin me degë pemësh dhe nuk gërmon rrënojat e tërmeteve me sqepar?

Qytetarët kërkojnë nga ‘Çezari’ jo mrekulli, por detyrën e tij. Dhe qoftë kur luan shejtanbudallain, qoftë kur luan të paaftin, ai është në shkelje të kontratës me qytetarët.

Rama nuk e njeh këtë kontratë – sepse e ka prishur vetë. Kontrata prishet në momentin kur taksidari merr taksën dhe e përdor për të blerë po atë qytetar që e pagoi. Kur patronazhisti vjen me çantë lekësh. Kur Kryeministri vjen me “bonus pensioni”. Kur falen gjoba në mes të fushatës.

Kjo nuk është bamirësi. Është ryshfet me paratë e tua.

Ky është tatimi i dyfishtë që ka ndërtuar Edi Rama: rrit taksat për të blerë vota, blen vota për të rritur taksat. Dhe detyrën për të qeverisur një vend të sigurt, me një kabinet që merr përgjegjësi, e zëvendëson me monologë në Facebook dhe Instagram.

Kjo është arsyeja pse, sa herë Shqipëria përballet me Natyrën, humbet.
Sepse ‘Çezari’ ka kohë që ka hequr dorë nga detyra e tij – dhe ka vendosur të luajë Zotin.

Advertisement