Connect with us

DOSSIER

Kur Putini i thoshte Bushit: Ukraina nuk është shtet

Është 4 prilli i vitit 2008. Gjatë një takimi në Bukuresht, George W. Bushi dhe Vladimir Putini diskutojnë për Ukrainën. Bushi do ta donte në Bashkimin Europian dhe në NATO, ku janë anëtarësuar tashmë disa vende të Europës Lindore, por udhëheqësi rus është kundër. “Çfarë është Ukraina?” shpërthen Putini. “Duhet ta kuptosh, George, që nuk është as shtet. Një pjesë e territoreve të saj ndodhen në Europën Lindore, por pjesa më e madhe janë një dhuratë që ua kemi bërë ne”. Presidenti amerikan i përgjigjet se “Ukraina është një shtet i pavarur, dhe ju jeni angazhuar që të respektoni kufijtë e saj”. Për ish drejtorin e CIA-s dhe Ministrin e Mbrojtjes të SHBA, Robert Gates, që merr pjesë në takim, mesazhi nuk mund të ishte më i qartë. “Putini – i thotë Gates Bushit – nuk do të heqë dorë asnjëherë nga kontrolli i asaj që e konsideron “Rusia e vogël”, apo pjesa e tij e Ukrainës”, aq më pak nga kontrolli i Krimesë, një territor gjysmë-autonom ku ndodhet një prej bazave ruse më të rëndësishme. Dhe shton që Kremlini nuk do të gjejë qetësi, deri kur një qeveri filoruse nuk do të ketë zëvendësuar qeverinë filoperëndimore në Kiev, në pushtet prej vitit 2005. Bushi përgjigjet se do të përpiqet ta pengojë. Mes masave që duhen marrë, presidenti propozon hapjen e një përfaqësie amerikane në Sevastopul, një paralajmërim për Putinin, që ndërkohë i ka dhënë krahut të tij të djathtë, Dimitri Medvedev presidencën e Rusisë, por jo pushtetin. Kievi është dakord, por Parlamenti i Krimesë e hedh poshtë propozimin duke votuar 77 me 9. Eshtë një humbje e Shtëpisë së Bardhë, që kalon në heshtje, dhe Bushi nuk bën më asgjë. Ukraina dhe Krimeja janë një prej problemeve të pazgjidhur që do ia kalojë pasardhësit të tij. Sipas dokumentave të bërë publikë nga Arkivat e Uashingtonit, Ukraina dhe Krimea kanë qenë probleme të pazgjidhur edhe për paraardhësin e Bushit, Bill Clinton. Në vitin 1996, ndërkohë që përmbyllej procesi i denuklearizimit të Ukrainës i kërkuar nga Kievi, Moska dhe Uashingtoni dy vite më herët, CIA informon Shtëpinë e Bardhë se “në Krime Rusia ka instaluar raketa Sam me rreze të gjatë veprimi, të llojit Tallinn dhe që është në funksion një impiant armësh kimike”. Clintoni ka marrëdhënie të mira me presidentin Jelsin, dhe nuk ka dëshirë t’i prishë. Tre vjet më vonë, një studio ekspertësh, mendimi i të cilëve kërkohet nga Shtëpia e Bardhë konkludon se “në Ukrainë thellohet hendeku kulturor mes atyre që kanë jetuar nën Rusinë dhe nën BRSS për 200 vjet dhe atyre që kanë jetuar nën Austrinë dhe nën Poloninë”.

Raporti saktëson se këta të fundit “kërkojnë një autonomi më të madhe politike dhe fetare nga Kievi dhe ekziston rreziku i një konflikti”, por këshillon Shtëpinë e Bardhë që të mos ndërhyjë. Clintoni pranon. Presidenti amerikan e di që nuk ka përmbushur premtimet e bërë nga George Bush babai, paraardhësi i tij. Në vitin 1990, Bushi kishte siguruar presidentin e atëhershëm të BRSS, Gorbacov, “se NATO nuk do të zgjerohej në Lindje as edhe me një centimetër” pas shpërbërjes së Paktit të Varshavës. Në vitin 1991, gjatë një fjalimi në Kiev, Bushi kishte kritikuar “nacionalizmat vetëvrasës” të ish republikave sovjetike. Por Clintoni kishte ecur në rrugë të kundërt. Dhe në vitin 1999 ai kupton se mund të shkohet drejt një përplasjeje me pasardhësin e Jelsinit, Vladimir Putinin, aq sa i kërkon Jelsinit “të bëjë kujdes e të mos e humbasë nga sytë”. Dokumentat lënë të kuptohet se biseda mes Bushit dhe Putinit për Ukrainën dhe Krimenë është një bisedë mes dy shurdhësh. Putini nuk është vetëm një ish agjent i KGB, por edhe “një rus i madh” që dëshiron të mbajë territoret fqinjë në zonën e tij të influencës. Në vitin 2001, kur Bushi i thotë “se i ka lexuar zemrën dhe që mendon se është një njeri që mund t’i besosh”, Putini e ndihmon Amerikën në luftën kundër terrorizmit, por shumë shpejt nis të reagojë me forcë ndaj nismave amerikane në Europën Lindore. Revolucioni portokalli i vitit 2004 në Ukrainë çon në çarjen mes dy liderëve në samitin e Sllovakisë në 2005: Putini sheh dorën e Amerikës. Ndonëse e maskuar, është “paqe e ftohtë” mes Uashingtonit dhe Moskës. Tensioni rritet në vitin 2007 kur Bushi i kërkon Polonisë dhe Republikës Çeke që të vendosin raketa amerikane të mbrojtjes hapësinore, formalisht për të frenuar Iranin. Në gusht të 2008-ës, Rusia pushton Gjeorgjinë që presidenti gjeorgjian, Saakashvilli dëshiron ta anëtarësojë në BE dhe NATO. Po atë vit ndodhi përplasja finale mes Bushit dhe Putinit. Bushi: “Të kisha thënë që Saakashvilli është një kokë e nxehtë”. Putini: “Jam edhe unë një kokë e nxehtë”. Bushi: “Jo Vladimir, ti je një kokë e ftohtë”. Eshtë një përplasje që rikthehet në 2009 mes Putinit dhe pasardhësit të Bushit, Barak Obama. Gjatë një vizite, Joe Bideni, zëvendësi i Obamës i ofron Kievit mbështetje të plotë në rast se dëshiron të integrohet në BE dhe në NATO. Bushi nuk ia ka fshehur Obamës dhe të tijëve frikërat e tij për Krimenë dhe Ukrainën. Përshtypja që krijojnë dokumentat përmblidhet nga Jack Matlock, ambasador amerikan në Rusi në kohën e Gorbacovit: shumë pak dhe shumë vonë. Putini është fajtor, shkruan Matlock, “por Amerika e ka trajtuar Rusinë si humbëse e Luftës së Ftohtë, fundi i të cilës, në fakt u negociua”

Advertisement