Connect with us

Shkrime

Kur të gjitha dritat mund t’i kesh mbi vete, por ti zgjedh errësirën

Nga Adrian Thano

Adriano Celentano është një nga ata zëra që kanë ndjekur fëmijërinë dhe rritjen e atyre që kanë moshën time. Për mua ka qenë një model rebelimi elegant, një zë që vinte nga një epokë ku kënga kishte shpirt.

Këngëtarët si Celentano këndonin për dashurinë, për absurditetin e jetës moderne, për kontradiktat njerëzore. Çdo varg kishte diçka për të dhënë. Ata nuk prodhonin vetëm muzikë, por qëndrim.

Sot, muzika është kthyer në një mjet vetëpromovimi të zbrazët, një pasqyrë e një kohe ku rëndësi ka tingulli, jo përmbajtja; ritmi, jo ndjenja. Fjalët janë shpesh të zbrazëta, imazhet të sforcuara, qëllimi është një dhe vetëm një: të biesh në sy! Qoftë edhe për një ditë të vetme.

Ndaj shumica e këngëve sot bëhen për klikime, jo për kohëzgjatje në memorien kolektive. Si çdo gjë tjetër në këtë kulturë sipërfaqësore ato janë të shpejta, të konsumueshme, të zhurmshme. Zhurma të shurdhon, por nuk të flet.

Arti i kohës së Çelentanos nuk kërkonte domosdoshmërisht vëmendjen, nuk ngrihej mbi zhurmën, por mbi thellësinë. E dëgjoj ende sot, herë pas here. Dje lexova diçka për tërheqjen e tij të plotë nga jeta publike dhe izolimin. Nuk i gjegjet më as telefonatave.

Ndjeva një lloj respekti për këtë njeri që nuk e dogji veten në dritat e skenës, por që diti edhe kur të largohej prej saj. Pa deklarata dramatike. Pa ndonjë koncert lamtumire. Pa një “video në Instagram” për t’u ndjerë i nevojshëm. Ai thjesht zgjodhi të mos jetë më i dukshëm. Ndërkohë që të gjithë rendin pas vëmendjes, pas pasarelave të rrjeteve sociale, pas një fjale më shumë, Celentano zgjodhi të mos thotë asgjë.

Frikë nga virusi – lexohej në disa lajme (nuk ka dalë më që pas pandemisë). Plakje – thonë të tjerë, – dorëzim. Për mua është filozofi, është guxim. Është një formë tjetër shprehjeje: një mesazh pa fjalë, që të thotë se njeriu nuk është aq sa e shohin, por aq sa ndjen, aq sa zgjedh të jetë.

Dhe ai zgjodhi të jetë i qetë. I tërhequr. I lirë. Ka shumë njerëz që e duan dritën. Ka pak që dinë të jetojnë në hijen që zgjedhin vetë. Kur të gjitha dritat mund të jenë mbi ty, por ti zgjedh errësirën, kjo është një madhështi që nuk kërkon duartrokitje, por respekt.

Ndaj Çelentano – dje këngëtar i madh – sot është një kujtesë që na thotë se ndonjëherë, mungesa është më e fortë se prania. Se dinjiteti i vërtetë nuk matet me qëndrimin në skenë, por me aftësinë për të zbritur prej saj pa zhurmë, mundësisht kur dritat janë ende ndezur.

Të dish të largohesh në kohën e duhur është një art i rrallë – një akt fisnik. Jo kushdo e ka forcën shpirtërore për ta bërë një gjë të tillë. Shumë pak e zotërojnë këtë mençuri të heshtur. Dhe kjo nuk vlen vetëm për muzikën.

Advertisement
Advertisement

Copyright © 2002-2024 NTV TELEVIZION