Connect with us

Bota

Kurdët dalin nga llogoret, futen në Iran/ Trump: Do kenë mbulim ajror nga SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se mbështet forcat kurde që nisin një ofensivë kundër Iranit, në komentet e bëra gjatë një interviste me Reuters.

“Mendoj se është e mrekullueshme që ata duan ta bëjnë këtë. Do të isha plotësisht dakord,” tha Trump.

Kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara do të siguronin mbulim ajror për një operacion të tillë, Trump nuk pranoi të konfirmonte, duke thënë: “Nuk mund t’ju them këtë.”

Ai shtoi se nëse forcat kurde zgjedhin të vazhdojnë me një sulm, objektivi i tyre do të jetë “të fitojnë”.

Komentet vijnë ndërsa milicitë kurde iraniane kanë zhvilluar diskutime me Shtetet e Bashkuara në ditët e fundit në lidhje me nëse dhe si të sulmojnë forcat iraniane të sigurisë në Iranin perëndimor, sipas burimeve të paidentifikuara, të cituara nga Reuters.

Një aleancë prej gjashtë grupevsh të armatosura kurde iraniane, e mbështetur nga SHBA-të, po përgatitet të hyjë në territorin iranian nga Kurdistani i Irakut “brenda ditësh”, sipas burimeve të cituara nga Al-Monitor.

Qëllimi i deklaruar: zgjerimi i presionit ndaj regjimit në Teheran, në koordinim me fushatën ajrore amerikano-izraelite.

Telefonata e Trump me liderët kurdë

Sipas raportimit, presidenti Donald Trump ka telefonuar liderët kryesorë kurdë në Irak Masoud Barzani dhe Bafel Talabani – për të diskutuar çështjen.

Burimet pretendojnë se Departamenti i Shtetit nuk ishte informuar paraprakisht.

Sipas tyre, forcat kurde iraniane do të kalojnë përmes zonave të kontrolluara nga Partia Demokratike e Kurdistanit në Haj Omran dhe nga Bashkimi Patriotik i Kurdistanit pranë pikës kufitare Bashmaq.

Forcat e sigurisë të Kurdistanit të Irakut nuk do të përfshihen drejtpërdrejt në luftime brenda Iranit.

Mohimet zyrtare nga Washingtoni

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, minimizoi rolin e kurdëve në një konferencë në Pentagon, duke theksuar se objektivat amerikane nuk varen nga armatosja e ndonjë force të veçantë.

Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhënëses Karoline Leavitt, mohoi se presidenti ka miratuar ndonjë plan për armatosjen e luftëtarëve kurdë për operacione në Iran.

Roli i CIA-s dhe shtytja izraelite

Burimet thonë se Agjencia Qendrore e Inteligjencës amerikane (CIA) ka qenë në kontakt me grupet kurde iraniane që prej vitit të kaluar për operacione të mundshme infiltrimi.

Izraeli ka ushtruar presion për përfshirje kurde që nga lufta e qershorit 2025 me Iranin.

Ndërkohë, avionë amerikanë dhe izraelitë kanë goditur qytete pranë kufirit, si Piranshahr dhe Baneh.

Pretendohet se forcat iraniane, përfshirë Gardën Revolucionare dhe Basij, po vendosen pranë objekteve civile, duke rritur rrezikun për viktima.

Paralajmërimet për rrezikun e përshkallëzimit

Analistë si Peter Galbraith, ish-ambasador amerikan dhe këshilltar i Qeverisë rajonale kurdepër një kohë të gjatë, paralajmërojnë se kurdët iranianë duhet të jenë të kujdesshëm ndaj premtimeve amerikane, duke kujtuar precedentë të mëparshëm kur interesat kurde janë sakrifikuar në marrëveshje më të gjera rajonale.

Reagimi i Turqisë dhe dimensioni i PKK/PJAK

Ankaraja është veçanërisht e shqetësuar për përfshirjen e PJAK, një degë e lidhur me PKK-në.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka zhvilluar bisedë me kryeministrin e KRG-së, Masrour Barzani, për zhvillimet rajonale një sinjal i qartë paralajmërimi kundër përdorimit të territorit të Kurdistanit të Irakut si bazë për operacione kundër Iranit.

Presioni iranian

Irani ka reaguar me kërcënime të shtuara.

Garda Revolucionare pretendon se ka lëshuar 230 dronë drejt objekteve që strehojnë trupa amerikane në rajon, përfshirë në Erbil.

Një ndërtesë në Sulaimaniyah u godit nga një dron.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Aragchi, kontaktoi Talabanin, duke vlerësuar rolin e PUK-së në “ruajtjen e stabilitetit”.

Zyrtarë kurdë në Irak deklarojnë neutralitet, por nëse territori i tyre përdoret realisht si bazë e pasme për një kryengritje brenda Iranit, Teherani ka gjasa ta konsiderojë këtë si përfshirje direkte.

Vlerësim strategjik

Operacioni, nëse materializohet, do të hapte një front të ri etnik në veriperëndim të Iranit, me synim shpërndarjen e kapaciteteve të sigurisë së regjimit dhe nxitjen e pakicave të tjera (baluchë, azerë) për mobilizim.

Megjithatë, historia tregon se disa mijëra luftëtarë të armatosur rrallë përmbysin një regjim me aparat të konsoliduar sigurie, pa mbështetje masive të brendshme dhe pa kohezion të fortë ndërkombëtar.

Në këtë fazë, ekzistojnë sinjale kontradiktore: raportime për përgatitje operative nga njëra anë, dhe mohime zyrtare nga Washingtoni nga ana tjetër.

Kjo e bën të paqartë nëse kemi të bëjmë me një plan real, një operacion psikologjik, apo një levë presioni në negociata të mundshme.

Advertisement