Kosova
Kurti hedh poshtë propozimin e Ramës: Implementim i marrëveshjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur poshtë idenë e propozuar nga homologu i tij shqiptar, Edi Rama, për organizimin e një konference ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Gjatë një vizite në Prizren, i pyetur nga mediat për propozimin e Ramës, Kurti ka thënë se ajo që duhet bërë tani është implementimi i marrëveshjes bazike të arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe gjithashtu më 18 mars në Ohër.
“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit. Krejt çfarë duhet bërë është që pa kushte të implementohet marrëveshja bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer e të balancuar. Kjo duhet të bëhet, dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, ka thënë kreu i ekzekutivit kosovar.
Ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media me përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell ka dhënë idenë për një konferencë ndërkombëtare mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me qëllim shtensionimin e situatës në veri të vendit. Rama po ashtu eklaroi që “ata të mos lejohen të dalin pa arritur një marrëveshje”.