Kosova
Kurti takohet me Vuçiç, BE-ja tregon për çfarë dhe jep detaje
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se nevojitet një takim i nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç-it, për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars).
Megjithatë, Stano nuk ka treguar se kur mund të ndodhë një takim i tillë, i ndërmjetësuar nga BE.
“Zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, sikurse edhe kërkesat shtesë për formalizim, kanë nevojë të adresohen nga liderët gjatë takimit të radhës në nivel të lartë, në kuadër të dialogut”, tha Peter Stano.
Kjo deklaratë e zëdhënësit të BE-së vjen një ditë pasi që në Bruksel u mbajt një cikël takimesh mes kryenegociatorit të Kosovës, Bensik Bislimi, atij serb, Petar Petkoviç, dhe të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ku u diskutua – ndër të tjera – edhe për dinarin serb, pas ndalimit të kësaj valute për pagesa nga autoritetet kosovare.
Deri të premten (22 mars) Kosova dhe Serbia do të dërgojnë propozimet e tyre lidhur me dinarin, ndërsa të hënën do të mbahet takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh.
Fillimisht, pas takimit trepalësh [Bilimi-Petkoviç-Lajçak], kryenegociatori i palës shqiptare të Kosovës njoftoi për afatin që palët kanë për të dërguar propozimet e tyre në kryeqendrën evropiane, aty ku dhe lehtësohet dialogu, për dinarin.
Bislimi ka theksuar se në takimin që pasur me Petkoviç-in dhe Lajçak-un, pala serbe ka thënë se nuk e njeh Marrëveshjen Bazike, pasi që, sipas tij, kryenegociatori serb ka deklaruar se për shtetin që ai përfaqëson marrëveshja është problematike.