Connect with us

Kronike

Kush e masakroi dhe e groposi “Pushin”/ Takimi misterioz me djalin e tezes së bashkëshortes

Kjo që do t’u tregojmë më poshtë, është një nga historitë më të rralla dhe intriguese të vrasjeve të pazbardhura, të ndodhura në Shqipëri, në 30 vitet e fundit.  Një krim monstruoz që vazhdon të flejë në këmbët e një ure, prej më shumë se 14 vitesh, që nga mesi i muajit shkurt të vitit 2009, dhe që vazhdon ende edhe sot të vishet nga misteri.

Kush e masakroi dhe e groposi, aty, trupin e të riut, Osman Berberi, në atë kohë vetëm 27 vjeç.  Babait të një vajze katër vjeçare, që thuhet se u rrëmbye mesditën e datës 19 shkurt 2009.

Nga persona të veshur si policë, brenda një lokali, fare pranë banesës së tij në Kodër Kamëz.  Vetëm pak orë, pasi një telefonatë urgjente, e kishte nxjerrë herët në mëngjes nga banesa.

Për t’u gjetur i vrarë dhe i torturuar vetëm 9 ditë më pas, nga zhdukja apo rrëmbimi i tij.

 

 

Vrasje që siç thamë, ka mbetur edhe sot pa autor.

Por mbi të gjitha. me shumë emra të përfshirë, dhe pikëpyetje se kush e rrëmbeu dhe e vrau të riun, që kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Greqia.

A janë njerëzit e afërt të gruas së tij ata të cilët e vranë?

A ishte ajo çfarë ai kishte parë, varri i tij i hapur që e detyroi Osman Berberin atë mëngjes të zhdukjes, ti kërkonte me ngulm nënës dhe bashkëshortes, që të mos ia hapnin derën askujt, ndërsa ai dilte me nxitim nga banesa?

A ishte jeta e tij kontroverse, e mbushur me dritëhije dhe incidente të pafundme, me personazhe të ndryshëm që hyjnë dhe dalin edhe në këtë histori, që u dha autorëve të vërtetë të krimit, alibinë më perfekte, për ta fshehur vrasjen makabër në mënyrën e duhur.

Për herë të parë emisioni ‘Në shënjestër’ në News24, i gazetares Klodiana Lala, pas kaq shumë vitesh, do të përpiqet të hedhë edhe njëherë dritë mbi rrëmbimin, torturimin dhe mënyrën se si gjet i masakruar, 27 vjeçari, Osman Berberi, më datë 28 shkurt 2009, rreth orës 11.00 të mesditës, në këmbët e ‘Urës me Harqe’ në Milot, apo ndryshe e njohur si Ura e Zogut.

Një urë e vjetër, sot e mbetur muzeale, mbi lumin Mat, në krahun e djathtë të rrugës që të çon në Mirditë.

Shumë larg banesës në Kodër Kamëz, ku Osman Berberi jetonte me familjen, nënën, vajzën dhe bashkëshorten e tij.  Por cila ishte dita e tij e fundit para se të zhdukej?

Kush e nxorri në mëngjes nga shtëpia?

Dhe pse, ai ishte kaq shumë i shqetësuar, dhe i la porosi të shoqes që të mos ia hapte derën askujt pa parë fillimisht se kush ishte?

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, Osman Berberi, që në rrethin familjar dhe atë shoqëror, njihej edhe me nofkën ‘Pushi’, u kthye nga Greqia, më datë 10 Shkurt 2009.

Ai thuhet se kishte qënduar në vendin fqinj në mënyrë klandestine për afro 6 muaj.

Me qëllimin për të gjetur aty një punë.  Kjo, për shkak të gjendjes së tij të vështirë financiare në Shqipëri.

Sipas dëshmisë së nënës së tij, ai iku në Greqi në muajin tetor të vitit 2008 dhe u kthye në banesë më 10 shkurt 2009, një ditë përpara ditëlindjes së bashkëshortes së tij.

Por vetëm 8 ditë më pas, siç ajo rrëfeu për grupin hetues, ai u rrëmbye dhe u gjet i pajetë, i torturuar në këmbët e një ure, më datë 28 shkurt 2009.

“Osmani ishte emigrant në Greqi me 6- mujorsh, i paligjshëm siç ishin kohët e atëhershme, flas për vitin 2009.  Ai shkonte punonte për bukën e gojës.

Unë e kisha djalë të vetëm.  Kur u gjet i vrarë ai ishte 27 vjeç, dhe kishte një vajzë të vogël. Ai u kthye nga Greqia më datë 10 pasi nusja e tij një ditë më pas kishte ditëlindjen.

Më datë 19 shkurt 2009 djali im u nxorr nga shtëpia nga një telefonatë dhe u mbajt peng në një lokal në Institutin Bujqësor nga njerëz me uniforma policie të cilët në fakt ishin kriminela.

Por siç do të shikohet edhe më poshtë, kthimi i tij në Shqipëri në këtë datë, ishte më shumë i kushtëzuar, nga mungesa e një pune të qëndrueshme në Greqi.

Por edhe problemet që i kishte hapur vetes në vendin fqinj, se sa nga afrimi i ditëlindjes së partneres së tij.

Por ndërsa duket se po i shpëtonte problemeve që kishte lënë pas, Osman Berberi, nuk do ta mendonte se ato që do të gjente gjatë kthimit në Shqipëri, mund t’i kushtonin edhe jetën. Sipas nënës së tij, mëngjesin e datës 19 shkurt, kur edhe u zhduk papritur, ai kishte dalë tejet i shqetësuar nga banesa e tyre.  Këtë gjë, nëna e tij deklaroi, se ia pati thënë nusja, Odeta.  Dëshmi të cilën nëna e viktimës, e dha për grupin hetues, pasi trupi i djalit të saj, u gjet i masakruar 8 ditë pasi ishte larguar nga banesa”.

Dëshmia e nënës

Deri ditën kur u zhduk, më 19 Shkurt 2009, ai rrinte në shtëpi  dhe nuk dilte si gjithmonë.

Në këtë datë në mëngjes ai ka marrë një telefonatë dhe i ka thënë bashkëshortes së tij që të mos ja hapte askujt derën pa e parë në syrin magjik, se kush ishte.

Nëna e tij tregoi më tej, se duke mos qenë e pranishme në banesë në momentin e largimit të të birit, ajo kishte pyetur për rrethanat e ikjes bashkëshorten e tij.

E cila nuk kishte ditur t’i thoshte diçka më shumë, përveç shqetësimit që ai kishte shprehur në ikje e sipër atë mëngjes.

Por gjetja e trupit të masakruar poshtë urës së Milotit, më 28 shkurt, 8 ditë pasi viktima ishte zhdukur, ngriti shumë dyshime mbi ngjarjen.

Ndërkohë që ajo çka e bënte edhe më komplekse hetimin, ishte zhdukja e tatuazheve nga trupi i viktimës.

I cili rezultoi se pasi ishte qëlluar me armë zjarri, kufoma e tij ishte dhunuar me mjete prerëse me qëllim që të mos identifikohej nga policia.

Duke iu prerë gishtat dhe hequr tatuazhet nga trupi.

Autopsia Mjeko-Ligjore

Mbi bordurën prej betoni të  këmbës së ‘Urës me Harqe’  u fiksuan dy karikatorë me fishekë automatiku të lidhura me njëra-tjetrën me një shirit natribani me ngjyrë bezhë.

Këto dy karikatorë me fishekë automatiku përkonin në lartësi vertikale me fundin e këmbës së kufomës.

Mbi zhavorr, ngjitur me fundin e bordurës së betonit të Urës, u fiksua një gëzhojë si ato model 7,65 mm, në formë cilindrike, me ngjyrë të bronztë.

Gjatë kontrollit në xhepin e pantallonave të viktimës në portofol u gjet një fotografi fëmije ku në  pjesën e pasme ishte shkruar ‘Stela 1 vjeç-2005’

Kufoma ka konstrukt trupor të rregullt, me gjatësi trupore 163 cm.

Kockat e krahëve janë të zhveshura nga lëkura, ndërsa gishti i parë, dhe i dytë i dorës së djathtë mungojnë plotësisht.

Gishti i tretë mungon nga nyja e dytë, ndërsa gishti i katërt mungon duke filluar nga nyja e tretë.

Në pjesën anësore të djathtë të kokës sipër dhe prapa llapës së veshit e cila mungon vërehet një plagë në trajtë të rrumbullakët.

Plaga depërton në thellësi të kavitetit të kokës.

Pra siç vihet re edhe nga raporti i autopsisë mjeko-ligjore, kufoma është dhunuar në formë të tillë aq sa të ishte e vështirë, në mos i pamundur, identifikimi i tij.

Por kur ishin personat e interesuar të vrisnin 27 vjeçarin?

Dhe çfarë borxhi jete u kishte ai atyre, që e dhunuan në atë formë, që përveçse sadiste, duket se brenda mbante edhe një mllef të madh, të shprehur në mënyrën më mizore të mundshme.

Sipas nënës së tij, ‘Pushi’, siç ndryshe e njihnin djalin e saj Osmanin, kishte plot ngatërresa në jetën e tij.

I rritur me prindër të divorcuar, ai pjesën më të madhe te jetës, deri në moshën 17-vjeçare, e kishte kaluar në banesën e babait të tij.

Që ndërkohë kishte ndërtuar një jetë të re bashkëshortore.

Pas kësaj moshe, Osmani kishte vendosur të jetonte me nënën e tij, në një nga godinat e ish-konviktit të Universitetit Bujqësor të Kamzës.

Që gjerësisht deri vonë është përdorur si objekt strehimi për shumë familje të ardhura kryesisht nga veriu i vendit.

Këtu, ku duket se Osmani, ka krijuar një shoqëri të re me disa prej personazheve, që hyjnë dhe dalin edhe në këtë rrëfim, të cilët mësohet se më pas kanë dijeni edhe për atë se çfarë atij i ndodhi më datë 19 shkurt 2009.

Ditën kur u largua i alarmuar nga banesa, për t’u gjetur më pas, siç theksuam edhe më herët, i masakruar dhe i vrarë 8 ditë më vonë, më datë 28 shkurt.

Bazuar në dëshminë e saj dhënë përpara oficerëve të policisë, menjëherë pasi trupi u gjet, nëna e tij dha për hetuesit, disa versione, mbi personat që ajo dyshonte se mund të kishin gisht në eleminimin e djalit të saj.

Pista të cilat shkonin nga një lidhje e tij e mundshme jashtëmartesore që mendohet të ketë pasur në Greqi, gjatë qëndrimit të tij të fundit në shtetin fqinj.

Borxhet me persona të tjerë, por edhe problemet në çift.

Por edhe një version tjetër, që lidhet me dy çanta me drogë.

Dy nga pretendimet e para të nënës së tij, se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të një ngatërrese që Osmani kishte pasur me shtetasin G. P, ku ky i fundit e kishte kallëzuar në polici në vitin 2009, pasi i kishte rrahur djalin.

Apo të një borxhi prej 2 mijë euro që shtetasi P. N, me banim në Lezhë, i kishte pasur viktimës, pasi viza greke që ai i kishte nxjerrë, kishte dalë false; borxh që më pas Osmani rezulton se e ka kthyer, u rrëzuan si pista hetimi nga policia.

Polici e cila u përqëndrua ndërkohë në vetëm dy pista.

Pista që u ngritën ndër të tjera, edhe nga pretendimet e nënës së viktimës.

Dosja Hetimore

Diamanta Berberi (Hima), nëna e viktimës, Osman Berberi, ngre disa versione në lidhje me vrasjen e tij.

Ajo thotë se Osmani ka pasur konflikt me dy persona që ajo nuk i njeh, për arsye se ata janë vëllezër të një gruaje që quhej  Vandelina Allkurti  me të cilën Osmani është njohur kur ka qenë në Greqi.

Sipas nënës së tij, Osmanin me këtë grua e ka prezantuar shtetasi Skënder Ulliri, i cili është një fqinj i tyre dhe që aktualisht ndodhet në Greqi.

Po sipas nënës së tij, Osmani i është shprehur asaj që këto dy persona e kanë kërcënuar por nuk i ka treguar emrat e tyre.

Por vrasja mund të ketë ndodhur edhe si rezultat i konfliktit familjar të çiftit Berberi, pasi Osmani ishte shprehur se do të divorcohej me Odetën.

Po përse policia u ndal në këto dy pista?

Çfarë i lidhte këto dy versione me njëra-tjetrën?

Përse viktima, po kërkonte të ndahej nga bashkëshortja e tij, me të cilën kishte një vajzë 4-vjeçare?

Fotografinë e së cilës ia gjetën në xhepin e pasëm të pantallonave edhe ditën kur trupi i tij u zbulua i masakruar poshtë ‘Urës me Harqe’ në Milot.

Cili është roli i Alban Skonjës, djalit të tezes së bashkëshortës së viktimës, në të gjithë këtë histori?

Dhe pse ai mbetet i dyshuari i madh, si autori kryesor, që organizoi dhe kreu vrasjen e Osman Berberit?

Sipas nënës së tij, e gjithë zanafilla e kësaj ngjarje, nis një ditë pasi Osmani kishte mbërritur nga Greqia në Shqipëri.

Ajo tregon se më datë 12 shkurt 2009 në banesën e saj mbërriti Alban Skonja, djali i tezes së bashkëshortes së Osmanit.

Ai ishte i shoqëruar në këtë vizitë bashkë me një shokun e tij, të identifikuar si Ismail Dishuka.

Sipas dëshmisë së nënës, gjatë kohës që Albani ka qenë në banesë, ai u ka kërkuar pjesëtarëve të tjerë të familjes, që ta lënë të vetëm me Osmanin, dhe shokun e tij.

Ku të tre kanë qëndruar për afro 2 orë me njëri-tjetrin, ndërsa anëtarët e tjerë në familje kanë qëndruar veçant në një dhomë tjetër.

Diamanta Hima

Më datë 12 Shkurt 2009, Osmani ka dalë tek porta e Institutit Bujqësor së bashku me Besnik Ndojin për të pirë kafe dhe aty janë ndeshur me Alban Skonjën, Ismail Dishukën si dhe me Aurel Xhanin që është dhe vëllai i gruas së Osmanit, të cilët ishin me një makinë me ngjyrë të zezë.

Aty, Alban Skonja ka ftuar për një drekë Osmanin së bashku me Besnik Ndojin.

Por Osmani duke mos pasur lekë me vete e ka parë Besnikun në sy dhe i ka thënë Albanit që të shkonin tek shtëpia e tij pasi plaka ka bërë drekën gati.

Pasi kanë ardhur deri para pallatit në këmbë, në shtëpi brenda kanë hyrë vetëm Osmani, Aurel Xhani, Alban Skonja dhe Ismail Dishuka.

Ndërsa Besnik Ndoji u largua për në banesën e tij. Vetëm dy minuta pasi kishin hyrë në banesë, Aurel Xhani, vëllai i bashkëshortes së Osmanit, u ngrit, pasi Albani i dha çelsat e makinës për të shkuar për ta ruajtur deri sa të vinte ky vetë.

Sipas rrëfimit të nënës, ndryshe nga vizitat e tjera, këtë herë Albani si rrallëherë nuk e mori në krah vajzën e vogël të shtëpisë.

Madje, ai hyri direkt e në temë.

Diamanta Hima

Atë ditë Albani nuk ishte si herët e tjera. Ai nuk e mori fare në krah vajzën e Osmanit, siç e merrte zakonisht. Këtë rradhë ishte shumë i vrazhdë.

Pasi u pershëndetëm dhe ata u ulën, filluan të pyesin Osmanin: ‘Përse erdhe o Push?’ Dhe këtu përmendën dhe disa çanta. Pushi u tha se më ka nxjerrë Ramazan Tabaku nga shtëpia.

Albani i tha përsëri ‘A mos ke ardhur për të bërë divorcin?’

Pas kësaj dreke të veçuar me Albanin dhe shokun e tij, nëna e Osmanit, thotë se djali i saj u pa shumë i shqetësuar.

Ndërsa, e vetmja gjë që mësoi nga biseda midis tyre ishte fakti se Albani e pyeti Osmanin, përse ishte kthyer nga Greqia.

Dhe a kishte të bënte ky kthim, me atë çfarë ai kishte dëgjuar, që ai po kërkonte të divorcohej nga Odeta, vajza e tezes së tij.

Madje, për të, shumë e pazakontë, ishte edhe ikja atë ditë nga banesa e Albanit dhe e shokut të tij.

Pa e takuar atë vetë.

Ku bashkë me ta, u largua edhe Osmani.

Diamanta Hima

Ata më kërkuan t’i lija vetëm duke biseduar. Në këtë moment unë u largova nga dhoma e tyre dhe kalova në dhomën tjetër.

Më pas në dhomën e tyre shkoi Odeta, bashkëshortja e Osmanit, e cila u shtroi drekën.

Pasi qëndruan rreth dy orë, Albani dhe shoku i tij Ismail Dishuka u larguan.

Por kur dolën nga shtëpia, unë nuk dola për t’i përcjellë, pasi dhe ata nuk më thanë gjë që po largohen.

Faktin që ikën mua ma tha Odeta.

E cila më tregoi se bashkë me ta kishte shkuar edhe Osmani.

Duke vazhduar t’i mbetemi besnik rrëfimit që nëna e tij dha në polici, ajo tha se djali i saj u kthye shumë i nervozuar në banesë atë pasdite.

Madje, me të ardhur në banesë, Osmani kishte nisur të shkatërronte edhe orenditë e shtëpisë.

Por ajo nuk e mësoi kurrë, çfarë ishte kjo bisedë që e kishte trazuar kaq shumë.

Diamanta Hima

Pasi shkoi së bashku me ta, Osmani atë natë u kthye shumë vonë në shtëpi, rreth orës 16.30-17.00.

Në kohën që Osmani erdhi në shtëpi unë e pyeta, përse ishte vonuar kaq shumë, por ai  filloi duke bërtitur dhe ktheu të gjithë shtëpinë përmbys, theu krevatin e vajzës së tij,  frigoriferin e me radhë.

Por përse Osmani ishte kaq shumë i terrorizuar nga takimi i fundit që kishte me djalin e tezes së bashkëshortes së tij?

Çfarë kishte ndodhur në ato orë të gjata larg syve të nënës së tij, kur kishte ikur bashkë me Alban Skonjën dhe mikun e tij, atë mesditë të 12 shkurtit?

Ajo që dihet është se Osmani, përveç frikës që shprehu atë ditë dhe në ato që pasuan deri në zhdukjen e tij, më datë 19 shkurt, nuk foli kurrë për arsyen e këtij paniku që e kishte kapluar së fundmi.

Madje pas kësaj dite, sipas nënës së tij, ai dilte gjithmonë e më rrallë nga banesa.

Ndërsa po sipas dëshmisë së saj, Alban Skonja, shoku i tij Ismail Dishuka dhe vëllai i nuses, Aurel Xhani, nuk u panë më në banesën e saj, jo vetëm deri ditën kur djali i saj u zhduk.

Por nuk ishin të pranishëm as në ceremoninë e tij të varrimit.

Diamanta Hima

Pas datës 12 shkurt 2009, Alban Skonja nuk erdhi më në shtëpinë time.

Po kështu as Aurel Xhani nuk erdhi më fare në shtëpinë time që nga dita që Osmani u largua nga banesa.

Ndërsa Luçiana, nëna e tij dhe e bashkëshortes së Osmanit, qëndroi tre ditë në shtëpinë time së bashku me Odetën.

Përsa i përket Ismail Dishukës, ai erdhi vetëm ate ditë që ishte së bashku me Alban Skonjën, dhe unë nuk e pashë më herë tjetër.

Në shpjegimin e saj përpara oficerëve të policisë, nëna e Osmanit, rrëfeu po kështu se bashkëshortja e tij, Odeta, nuk qëndronte në shtëpi gjatë kohës që ky i fundit punonte në Greqi.

Por jetonte te nëna e saj Luçiana, e cila ishte e ve.

Pasi bashkëshorti i kishte ndërruar jetë.

Madje, sipas nënës së Osmanit, Odeta u largua nga banesa e saj, edhe gjatë kohës që bashkëshorti i saj rezultonte i zhdukur, duke zgjedhur të qëndrojë në banesën e nënës së saj.

Advertisement