Aktualitet
Kuzhina shqiptare tërheq turistët, harxhuan 800 milionë eruo në bare e restorante

Çmimet më të larta dhe fluksi i turistëve po rrit me shpejtësi qarkullimin e të ardhurave në bizneset e shërbimit ushqimor “ Catering dhe restorante, bare etj”.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2023 të ardhurat e bizneseve në sektorin e shërbimit ushqimor ku përfshihen edhe baret arritën në 80,7 miliardë lekë një vlerë e përafërt me 800 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore me 17 për qind. Fitimet neto ishin 13.8 miliardë lekë ose 17 % e xhiros totale me 2023.
Të ardhurat në këto biznese kanë një rritje të qëndrueshme në dekadën e fundit, por përshpejtimi nisi në vitin 2017, ku zhvillimet në sektorin e turizmit u bënë më intensive, sidomos në zonat bregdetare.
Rritja e të ardhurave në këto biznese po ndodh kryesisht për dy arsye. E para, numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë po rritet me ritme të larta nga viti në vit, çka ka ndikuar në zgjerimin e konsumit në këto njësi. Së dyti të ardhurat në këto biznese janë ndihmuar edhe nga rritja e çmimeve.
Teksa fitimet dhe qarkullimi në sektorin e bareve dhe restoranteve janë rritur, në anën tjetër numri i bizneseve erdhi në tkurrje ndërmjet 2019 dhe 2023. Kjo për shkak të konsolidimit të bareve dhe restoranteve në rrjetë të mëdha dhe falimentit të bareve të vogla në zonat rurale prej tkurrjes së popullsisë.

