Connect with us

Politike

Lapardhaja: Avokatët e Berishës po justifikojnë dështimin ose po tregojnë injorancë! Thonë se gjyqtari doli jashtë objektit, por e vërteta është krejt ndryshe

Namir Lapardhaja ka reaguar pas vendimit për rikthimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për Sali Berishën, duke kritikuar avokatët mbrojtës të këtij të fundit.

Në reagimin e tij, Lapardhaja thekson se avokatët e Berishës ose po përpiqen të justifikojnë dështimin e tyre, ose po shfaqin injorancë juridike. Sipas tij, argumenti se gjyqtari doli jashtë objektit është i pavend.

Reagimi i plotë:

Avokatët publikë të Berishës, ose po duan të justifikojnë dështimin, ose po tregojnë injorancën e tyre juridike, duke tentuar ta marrin sërish më qafë, siç bën radhën e parë, që e mbyllën në papafingo dhe pastaj s’e zbrisnin dot poshtë.

Po i dëgjoj që në kor po thonë se gjyqtari doli jashtë objektit, duke qenë se ligjërisht ishte i detyruar ose të rrëzonte kërkesën e SPAK ose ta kthente në katin e 8-të.

Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe, duke qenë se rasti konkret është ai i SEANCËS PARAPRAKE dhe në Nenin 260, pika 4 e Kodit të Procedures Penale thuhet:

“Kërkesa e prokurorit ose e të pandehurit për revokimin, zëvendësimin ose bashkimin e masave të sigurimit shqyrtohet nga gjykata ku ndodhen aktet, brenda pesë ditëve nga depozitimi i saj. Kur është rasti, gjykata vendos edhe kryesisht revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurimit gjatë marrjes në pyetje të personit të arrestuar, sipas nenit 248, të këtij Kodi, në rastet e parashikuara nga paragrafi 6, i nenit 246, të tij, gjatë procedimit për sigurimin e provës, gjatë seancës paraprake ose gjatë gjykimit.”

Kujtojmë se avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj sulmoi Apelin e GJKKO, duke e quajtur një gjykatë të kapur si të gjithë të tjerat. Ky vendim sipas tij është i çuditshëm, pasi gjyqtari ka dalë nga objekti i gjykimit.

Gjokutaj tha se SPAK nuk kishte kërkuar këtë masë sigurie, por rikthimin e masës së sigurisë arrest shtëpie.

“Me një vendimmarrje të çuditshme Apeli i GJKKO, mbi ankimin e prokurorisë në bazë të një vendimi të Shkallës së Parë për revokimin e masës për Berishën, vendosi kryesisht zëvendësimin e masës. Ne jemi të qartë se objekti i këtij gjykimi ishte kërkesa për shfuqizimin e vendimit të shkallës së parë. Prokurori i qëndronte masës arrest në shtëpi, nuk kishte kërkesë tjetër.

Kjo gjykatë nuk është më pak e kapur se sa Gjykata Kushtetuese, dy herë që shtyn gjyqin për shkaqe objektive, që detyrim për paraqitjeje e quan kushtetues, e cila nuk i hyri kërkesës për sqarimin e kufizimit të lirisë së një deputeti. E dini këtë sagë dhe sot gjendemi para këtij vendimi, detyrimi për tu paraqitur. Vijmë sërish në krye të herës, te kjo histori”, u shpreh Gjokutaj.

Advertisement