Connect with us

Shkrime

“Libri i Zi” dhe tallja cinike e Ilir Metës me demokratët, pas humbjes së thellë në Kukës

Nga Namir Lapardhaja

Rezultati i zgjedhjeve në Kukës, do të përfshihet në ‘Librin e Zi’ të manipulimit të proceseve zgjedhore. Kështu është shprehur sot Ilir Meta, i pyetur për humbjen e zgjedhjeve në Kukës.

Meta njihet nga demokratët dhe shqiptarët si politikan thellësisht i korruptuar, që mishëron më së miri të gjitha veset e shoqërisë sonë. Po ashtu, edhe për përgjigjet e tij cinike dhe të drunjta. Dhe kjo, më tepër se sa politikisht korrekte, është një tallje cinike me demokratët.

Duke cituar ‘Librin e Zi” të manipulimit zgjedhor, ai të kujton deklaratën e prillit 2013, tek pyetej për viktimat e 21 janarit dhe ‘Bllokun e Zi’ të korrupsionit.

Përgjigjja atëherë ishte po aq cinike sa kjo e sotmja: “21 janarin ia kemi lënë të merren arkeologët.”

Nga lufta e madhe mes veti e demokratëve, përveç Ramës, Ilir Meta është i fituari i dytë më i madh.

I ngelur pa elektorat, me një strukturë thellësisht të shkatërruar, pa mbështetës dhe pa përkrahës, nën prozhektorët e ekspozimit të hetimeve të thelluara nga SPAK-u, nderi që po i kthen Sali Berisha për ta mbajtur në lojën politike, duke i çuar votat e demokratëve tek koteci i partiçkës së tij, duke bërë thirrje për t’u votuar sigla e tij pa militantë dhe anëtarë, është kontributi më i madh që mund t’i jepet për ta shpëtuar politikisht dhe për t’i larguar sa më shumë goditjen e pritshme nga drejtësia.

Meta, i cili nuk u duk asnjë ditë në fushatën e Kukësit, është i fundit që duhet të dalë dhe të flasë për ato zgjedhje.

Përpara tij është një radhë e gjatë, duke filluar nga Berisha, Bardhi dhe të gjithë deputetët e paçes dhe pilafit, që u ekspozuan ditët e fushatës në Kukës me poza dhe shfaqje sikur të ishin çlirimitarë dhe shpëtues të atyre zgjedhjeve.

Të gjithë ata së bashku janë përgjegjës për rezultatin.

Janë po të njëjtët që kanë akuzuar Bashën se nuk i ka humbur, por i ka shitur zgjedhjet.

Meqenëse Basha nuk mori fare pjesë në ‘pazarin’ e Kukësit, i bie që këtë radhë t’i kenë shitur ata, siç bënë edhe me zgjedhjet e 14 majit dhe siç pritet të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme.

Nëse nuk do dalë askush prej tyre të marrë përgjegjësi dhe t’u tregojë demokratëve se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me rezultatin katastrofik të atyre zgjedhjeve, nuk do jetë e largët dita që do dalë ‘filozofi’ i politikës, bashkëpjesëtari tjetër i koalicionit “Bashkë firojmë”, i famshmi Nard Ndoka, i cili do të thotë tërë seriozitet:

“Kur humbasim ne, fiton kundërshtari.”

Advertisement