Kosova
LISTA SERBE NON GRATA/ Reagon Vuçiç, kërcënon Kurtin dhe Perëndimin
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se kryeministri Albin Kurti “me ndihmën e aleatëve të tij dëshiron, sic tha ai, te shfaros popullin serb nga Kosova”.
Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, presidenti i Serbisë ka pretenduar se kryeministri Albin Kurti, po përpiqet “të asgjësojë kundërshtarët politikë”.
“Kurti me ndihmën e aleatëve të tij dëshiron ta shfaros popullin serb nga Kosova. Gjithashtu, pres që në shtatë ditët e ardhshme të manifestohen edhe sanksionet amerikane ndaj Industrise Serbe te Naftes”, ka shkruar Vucic në rrjetet sociale
“Kur kësaj i shtohen sulmet e frikshme të grupeve të ndryshme të presionit të brendshëm, është e qartë për të gjithë se qëllimi përfundimtar është kolapsi i Serbisë. Serbinë nuk ia japim askujt dhe Serbia nuk ndalet. Nuk ka dorëzim” – ka shtuar kreu i shtetit serb.
Paraprakisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat janë caktuar të mbahen më 9 shkurt 2025. Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet kanë kundërshtuar certifikimin e kësaj partie nën argumentin se ajo është kundër shtetit të Kosovës.
Disa prej arsyeve për moscertifikimin e forcës kryesore politike të serbëve janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të saj, Zllatan Ellek, gjatë prezantimit të listës së kandidatëve për zgjedhjet e shkurtit, krahas mbajtjes së kontakteve me terroristin serb, Millan Radoiçiç, i cili kërkohet nga organet e drejtësisë në Kosovë.